Lidhje

Kongresmeni amerikan Rohrabacher në Tiranë dhe Prishtinë


Kryetari i Nënkomitetit për Evropën, Euroazinë dhe Kërcënimet e Reja në Kongresin Amerikan takohet me kryetarin e parlamentit Ilir Meta dhe kreun e opozitës Lulzim Basha

Në Shqipëri ndodhet për një vizitë Kryetari i Nënkomitetit për Evropën, Euroazinë dhe Kërcënimet e Reja në Kongresin Amerikan, zoti Dana Rohrabacher. Ai bisedoi sot me kryetarin e parlamentit Ilir Meta si dhe me kreun e opozitës shqiptare Lulzim Basha.

Gjatë takimit, zoti Meta, ndërsa falenderoi kongresmenin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë theksoi se vendi i tij “do të vazhdojë të jetë një partner i përkushtuar e SHBA-ve në NATO, rajon dhe sfidat globale”. Kryetari i parlamentit shqiptar kërkoi gjithashtu “një angazhim dhe mbështetje më të madhe nga SHBA-të në fushën e zhvillimit ekonomik, nxitjes dhe rritjes së investimeve amerikane në Shqipëri”, ndërsa theksoi se “nënshkrimi i marrëveshjes për heqjen e taksimit të dyfishtë mes dy vendeve tona, do të ishte një nxitje dhe kontribut konkret në këtë drejtim”.

Tërësisht të ndryshme, temat e diskutimit mes kongresmenit Rohrabacher dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha. Sipas një njoftimi të shpërndarë nga Partia Demokratike, zoti Basha “e njohu kongresmenin amerikan Dana Rohrabacher me iniciativën e Partisë Demokratike për dekriminalizimin. Persona me precedentë kriminalë - theksoi zoti Basha - janë promovuar nga dyshja Rama-Meta në parlamentin e Shqipërisë dhe në poste drejtuese të administratës si dhe janë propozuar edhe si kandidat për kryetarë bashkie”

Një tjetër temë diskutimi ka qenë dhe situata parazgjedhore në Shqipëri. Sipas zotit Basha shumica “ka nisur të ngrejë skemën e blerjes së votave, duke u bërë presion të hapur drejtorëve te administratës publike, për të blerë votat dhe për të marrë vota me çdo mënyrë”. Po ashtu ai ka shpehur shqetësim për disa raste dhune gjatë tubimeve elektorale të opozitës, ndërsa shtoi se “kryeministri ka nisur të kërcënojë qytetarët, duke u thënë se nëse votoni kandidatët e PD nuk do të ketë investime, nuk do të ketë para, ujë, bukë etj. Kjo situatë po dëmton procesin normal zgjedhor”, theksoi kreu i opozitës.

Ligjvënësi Dana Rohrabacher në Kosovë

Ligjvënësi amerikan Dana Rohrabacher, është takuar sot në Prishtinë me udhëheqësit politikë të Kosovës.

Në një njoftim të zyrës së presidentes Atifete Jahjaga, thuhet se ata dy diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në rajon si dhe për rrugën e integrimeve euro-atlantike.

Presidentja Jahjaga dhe kongresisti Rohrabacher vlerësuan të arriturat në Kosovë duke vënë theks të posaçëm në zhvillimin ekonomik, investimet e huaja që do të mundësonin hapjen e vendeve të reja të punës dhe në këtë rrafsh edhe zhvillimin e sektorit energjetik. Të dy bashkëbiseduesit biseduan për nevojat e Kosovës në fushën e energjetikës dhe gjetjes së mënyrave të shfrytëzimit të energjisë alternative. Ata biseduan edhe për forcimin e demokracisë në Kosovë, ndërtimin e shoqërisë gjithëpërfshirëse dhe avancimin e të drejtave të njeriut, për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kovë dhe në veçanti të komuniteteve pakicë, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentes Jahjaga.

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa, thuhet në një komunikatë të zyrës së tij, e njoftoi mysafirin për progresin në Kosovë, duke theksuar përparësitë e programit qeverisës për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, punësimin dhe mirëqenien, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar si dhe agjendën integruese euroatlantike e reformat thelbësore në arsim dhe në shëndetësi, si pjesë e zhvillimit të vendit.

Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e popullit dhe të qeverisë së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që SHBA-të kanë dhënë dhe po japin për Republikën e Kosovës, në të gjitha fushat.

Kongresisti amerikan Dana Rohrabacher vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme për Kosovën.Gjatë takimit, ligjvënësi Rohrabacher u interesua edhe për progresin në zhvillimin ekonomik, në fushën e energjetikës si dhe në shëndetësi.

Të dy ata biseduan edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve. Në këtë kontekst, kryeministri Isa Mustafa ka shprehur përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e gjithanshëm të bashkëpunimit dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet në një njoftim të zyrës së kryeministrit Mustafa.

XS
SM
MD
LG