Lidhje

Sfida e mbrojtjes së portit të Mariupolit


Një armëpushim mes forcave ukrainase dhe kryengritësve të mbështetur nga Rusia, duket se po dështon ndërsa separatistët kanë përparuar në qytetin strategjik port të Mariupolit. Roja Bregdetare e Ukrainës thotë se ka besim se mund ta mbrojë portin, pavarësisht nga një sulm vdekjeprurës i kryengritësve javën e kaluar.

Roja Bregdetare e Ukrainës po konsolidon mbrojtjen, duke thënë se është e përgatitur të mbrojë qytetin port të Mariupolit.

Pavarësisht nga një armëpushim i shumëpritur, në rrethinat e qytetit përleshjet vazhdojnë mes kryengritësve të mbështetur nga rusët dhe forcat ukrainase.

Por ata nuk do të lejohen të marrin nën kontroll portin, thotë me bindje admirali i Rojës Bregdetare Mykola Zhybarev.

“Dua të them se populli ukrainas, miqtë dhe vëllezërit tanë, duhet të jenë të sigurt se ne do ta realizojmë misionin tonë. Nuk do të tërhiqemi nga toka jonë. Ne i shërbejmë vendit tonë dhe do ta mbrojmë atë”.

Në fund të gushtit, kryengritësit goditën me raketa dhe fundosën një nga anijet e pakta të Rojës Bregdetare, duke vrarë dy roja dhe duke pklagosur disa të tjerë.

Ishte sulmi i parë detar që kur shpërtheu konflikti në lindje të Ukrainës në prill, kur separatistët e armatosur morën kontrollin e zyrave qeveritare.

Për të parandaluar përsëritjen e një goditjeje, patrullat e Rojës Bregdetare ndryshuan taktikat dhe u bënë më aktivë, thotë kapiteni Yuriy Loshak.

“Ne nuk mendonim se ata do të hapnin zjarr nga bregu ndaj nesh. Në atë moment, anija nuk përbënte kërcënim për njerëzit në breg apo terroristët. Thjesht po kryente detyrën e mbrojtjes së kufijve tanë detarë”.

Nëse kryengritësit marrin nën kontroll Mariupolin, ata do të siguronin qasje në det përmes portit dhe do ta zgjeronin kontrollin bregdetar.

Ata shpresojnë të formojnë një korridor që të lidhë Rusinë me Krimenë, gadishullin e Detit të Zi që Moska e aneksoi nga Ukraina në mars.

Por kapiteni e pranon se ato pak anije që ata kanë, janë që nga periudha sovjetike.

“Ne gjithmonë kemi nevojë për më shumë anije, por këto kemi. Të gjitha anijet tona janë në gatishmëri të lartë. Të gjitha po funksionojnë siç duhet”.

Admirali thotë se qeveria e Kievit po u jep mbështetjen e nevojshme.

“Aktualisht kemi një mbështetje të konsiderueshme. Po marrim paisje të shimta, si nga ana teknike dhe karburant, ashtu edhe roja shtesë”.

Vendet perëndimore po ndihmojnë duke dhuruar paisje, si për shembull xhaketa antiplumb nga Kanadaja.

Dhe Roja Bregdetare amerikane pritet të dërgojë disa gomone në fund të shtatorit.

Por megjithë vetëbesimin e admiralit, shumë shqetësohen se deri atëherë, Mariupoli dhe porti i tij strategjik mund të jenë vendosur nën kontrollin e kryengritësve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG