Lidhje

Pelikani kaçurrel, një veçanti shqiptare


Parku kombëtar Divjakë - Karavasta është bërë mjaft i njohur në rajonin e Ballkanit për shkak të kolonive të pelikanit dalmat, ose i njohur ndryshe si pelikani kaçurrel.

Biologë dhe ornitologë kryejnë monitorimin dhe inventarizimin e pelikanit. Rojet kontrollojnë pa ndërprerë, ndërsa biologët ndjekin rregullisht shtimin e popullatës së pelikanit kaçurrel dhe gjendjen e kolonisë së tyre këtu në Divjakë.

“Në këtë park të ruajtur mirë ditën dhe natën pelikanët me pendët e përdredhura mbi krye kanë të vetmin ishull folezimi në Shqipëri. Ky park i rrallë dhe veçantitë e tij janë një mundësi e madhe punësimi edhe për banorët e zonës, që po përshtaten për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj tij” - thotë Roland Lleshi, koordinator i shoqatës së mjedisit, PPNEA.

Drejtuesit e parkut kombëtar Divjakë - Karavasta dhe organizata për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit natyror të Shqipërisë PPNEA nisën dy vjet më parë një projekt bashkëpunimi.

“Në vitin 2014 aty ishin 37 çifte riprodhues pelikanësh, që dhanë 21 zogj të rinj, në 2015 ishin 46 çifte riprodhues dhe dhanë 48 zogj të rinj. Sivjet numri pritet të jetë më i madh. Parku ruhet ditë e natë për të ndaluar gjuetinë e paligjshme. Pelikanët kanë në Divjakë vendin më të madh vendbanimin më të madh të dimërimit të tyre” - thotë Ardian Koçi, drejtor i parkut kombëtar Divjakë - Karavasta.

Pelikani kaçurrel është një shpend filopatrik, ose atdhedashës. Ai jeton dhe shtohet aty ku lind. Rojet shmangin çdo shqetësim për pelikanin, çdo zhurmë apo kërcënim për ta. Projekti i ruajtjes së ligatinave dhe pelikanit kaçurrel është një projekt rajonal i financuar nga organizata NOE Conservation dhe shoqata mjedisore shqiptare PPNEA dhe INKA dhe ku administrata e parkut është partner kryesor.

“Projekt është i shtrirë në nivel rajonal, pra edhe në Greqi dhe në Mal të Zi, ku gjenden edhe popullatat e pelikanit kaçurrel. Organizatat dhe administrata e parkut së bashku përgatitin vrojtuesit e rinj dhe shoqëruesit e turistëve me shprehi profesionale” - thotë Kujtim Mersini, drejtues i shoqatës për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit natyror në Shqipëri PPNEA. Kjo organizatë po kujdeset për lagunën e Karavastasë qysh nga viti 1993, dhe loboi pa u ndalur me organizatat botërore, derisa ajo mori statusin Ramsar, pra një zonë e rëndësisë ndërkombëtare.

Të ruash qetësinë në këtë park nuk është punë e lehtë. Gjatë tranzicionit laguna është dëmtuar rëndë nga gjuetia e paligjshme sa herë që ka patur trazira politike dhe shthurrje të rendit publik si ato të vitit 97 etj.

Ekspertët e parkut dhe veprimtarët pastrojnë rrugët e zonës, dhe i mbrojnë ato nga mjetet dhe gjahtarët e paligjshëm, si dhe zhvillojnë biseda me nxënësit e shkollave përreth mbi vlerat e parkut dhe ruajtjen e mjedisit në një nga zonat më të rralla të Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG