Lidhje

Roli i Internetit në lëvizjet aktiviste në Kinë


Roli i Internetit në lëvizjet aktiviste në Kinë
Roli i Internetit në lëvizjet aktiviste në Kinë

Udhëheqësit kinezë po njoftojnë plane të reja për të forcuar kontrollet mbi internetin dhe median sociale, pas një viti ku shumë nga teknologjitë kanë luajtuar një rol të rëndësishëm në kanalizimin e duhur të pakënaqësive publike në mbarë botën. Por rritja e shpejtë e Internetit në Kinë dhe miratimi i shpejtë i teknologjive të reja nga aktivistët politikë po i sfidojnë përpjekjet e shtetit për kontroll. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Stephanie Ho njofton nga Pekini.

Chen Guangcheng është një avokat që i ka humbur shikimi dhe që u burgos në vitin 2006 pasi akuzoi zyrtarët lokalë të planifikimit familiar se i detyrojnë gratë të abortojnë dhe të mos lindin. Ai u lirua në vitin 2010, po qysh atëhere ka qënë në arrest shtëpiak. Njoftimet e fundit të mediave dhe grupeve të të drejtave të njeriut thonë se ai është rrahur brutalisht.

Njerëz nga mbarë Kina kanë ndarë informacione rreth rastit Chen në faqe elektronike dhe kanë shkuar në fshatin e tij për të treguar mbështetje.

Një përkrahëse, 50 vjecarja Mao Hengfeng, është nga Shangai. Ajo është mes një grupi prej më shumë se 30 personash që thonë se u rrahën kur shkuan këtë javë në fshatin e zotit Chen.

Ajo thotë se nuk e përdor Internetin pasi nuk është mirë me shëndet dhe se nuk mund të dërgojë mesazhe me celular. Por në anë të argumentit të rëndësisë së shtrirjes së Internetit, ajo thotë se se ka miq të mirë që e ndihmojnë për të komunikuar në Internet.

Zyrtarët kinezë thonë se gati 400 milionë njerëz kanë qasje ndaj Internetit, numri më i madh ky në botë. Megjithëse forumet në Internet lejojnë që informacionet të përhapen shumë më tepër sesa lejoheshin pak vite më parë, analistët thonë se Interneti po ndikon në çështjet që diskutohen dhe debatohen në shoqërinë kineze.

David Bandurski, me Projektin për Median në Universitetin e Hong Kongut, thekson se fushata “Liri për Chen Guangcheng-un” ishte një pikë kthese për aktivizmin kinez.

“Rasti Chen Guangcheng, avokati i verbër në provincën Shandong, ka qënë një çështje ndërkombëtare e të drejtave të njeriut në Kinë për vite me radhë,por tani është bërë një çështje e brendshme. Kinezët e thjeshtë janë shumë të shqetësuar rreth saj. ”

Zoti Bandurski thotë se ajo që ka ndryshuar nga e kaluara është se forumet shpërndahen dhe se informacionet e publikuara transferohen menjëherë në mbarë vendin.

Ai thekson se këta përdorues janë në gjendje të komunikojnë me forcën që japin imazhet – qofshin video apo fotografi – të cilat gjithashtu transmetohen menjëherë në rrjetet kibernetike.

“Interneti ka bërë të mundur që disa tema t’i verë në qendër të vëmendjes së mbarë vendit duke tërhequr edhe mbulimin e medias, por kjo ka ndodhur me një ritëm shumë më të shpejtë tani me median sociale.”

Autoritetet kineze kanë treguar se janë të shqetësuara për lidhjet mes komunikimit të menjëhershëm dhe protestave masive. Gjatë trazirave të Tibetit dhe në Xinjiang në vitin 2008, pati ndërprerje të shërbimeve të Internetit dhe telefonave celularë pas demonstratave të dhunshme në këto dy rajone pakicë.

Për të kontrolluar gjithë këtë aktivitet, qeveria kineze ka punësuar dhjetra mijëra censurues për të hequr materialet që i konsideron si ofenduese sa më shpejt që të jetë e mundur. Ka gjithashtu njerëz që paguhen për të shkruar komente pozitive. Ata quhen ushtarët në ushtrinë 50 centëshe, sasia e parave që i paguhet një person për të publikuar komente pro-qeverisë.

Në gusht, Tang Jun, sekretari i Partisë Komuniste në qytetin Dalian, qëndroi mbi një kamion dhe u bëri thirrje dhjetra mijëra demonstruesve të shpërndaheshin.

Ata ishin mbledhur për të protestuar për një uzinë kimike që prodhonte paraksilene, një kimikat toksik që përdoret gjerësisht në shishet plastike dhe copat poliestër.

Demonstrata ishte organizuar kryesisht nga forumet dhe rrjetet sociale. Fotografitë e celularëve për ngjarjen qarkulluan në Internet duke e bërë këtë ngjarje të njohur në mbarë botën.

Udhëheqja e lartë në Kinë po merr hapa për të intensifikuar kontrollin mbi mediat sociale për të promovuar atë që është cilësuar si “shpërndarje e rregullt e informacionit”.

Ky njoftim u përfshi në komunikatën e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze, pas takimit të saj në tetor.

XS
SM
MD
LG