Lidhje

Roli i Marthin Luther Kingut në lëvizjen e të drejtave civile në SHBA


Roli i Marthin Luther Kingut në lëvizjen e të drejtave civile në SHBA
Roli i Marthin Luther Kingut në lëvizjen e të drejtave civile në SHBA

Presidenti Barak Obama do të marrë pjesë nesër në ceremoninë e përurimit të memorialit kombëtar dedikuar udhëheqësit të të drejtave civile Marthin Luther King. Ceremonia e planifikuar për disa javë më parë, u shty për shkak të uragnit Irene që preku edhe rajonin e Uashingtonit. Marthin Luther King ishte një prift baptist i cili u kthye në zërin kryesor të lëvizjes së të drejtave civile në Amerikë gjatë viteve 1950 – 1960. Në materialin në vazhdim do të ndjekim një nga ngjarjet themelore të lëvizjes së të drejtave civile, që ktheu vëmendjen kombëtare dhe ndërkombëtare tek Marthin Luther Kingu dhe filozofia e tij jo e dhunshme.

Martin Luther Kingu i Ri shkoi me një mision në Birmingam të Albamës - në një vend të cilin ai e quante “vendi me dallimin racial më të theksuar në Shtetet e Bashkuara”.

“Jam këtu për të treguar këtë padrejtësi flagrante. Dhe për të kërkuar që qeveria federale të mos japë asnjë qindarkë për këtë qytet, derisa ai të përballet me realitetin e dallimit racial”.

Në demonstrimet jo të dhunshme që pasuan, Martin Luther Kingu dhe qindra protestues u arrestuan. Ata u bënin thirrje autoriteteve të shfuqizonin ligjet që i mbanin zezakët dhe të bardhët të ndarë nëpër shkolla, restorante dhe shumë vende publike.
Historiani Robert Korli thotë se Martin Luther Kingut dhe të tjerëve, iu duhej t’a përdornin këtë strategji.

“Nuk kishte patur asnjë lëvizje apo diçka të ngjashme në këtë qytet që të përpiqej për eliminimin e dallimit racor të ndonjë prej institucioneve të tij. Luther Kingu tha se nëse fitojmë në Birmingham, atëherë ne mund të fitojmë kudo”.

Martin Luther Kingu dhe të tjerët u përballën me rezistencën e ashpër të policisë. Komisioneri për Sigurinë Publike Eugene Konnor i thirrur me nofkën “Demi”, i mbështetur nga shumica e banorëve të bardhë, ishte i vendosur që të ndalte demonstrimet. Duke mos patur shumë vullnetarë për të vazhduar protestat, Luther Kingu dhe bashkëpunëtorët e tij morën qindra nxënës shkollash për të vazhduar marshimin, e për të mbushur burgjet me ta.

“Unë u arrestova mbasi kaluam dy blloqe banesash nga kisha”.

Janise Kelsey ishte 16 vjeçe kur ajo dhe shokët e saj të shkollës u burgosën.

“E ndava mendjen. Do të merrja pjesë në demonstrime, dhe do të shkoja në burg sepse kërkoja lirinë time”.

Dita e dytë e demonstrimit të nxnësve, ishte e dhunshme.

Policia përdori pompat e ujit kundër të rinjve si dhe lëshoi qentë drejt tyre.

Udhëheqësi i të drejtave civile të Birminghamt i përndershmi Kalvin Woods ishte në vendngjarje.

“Kishte njerëz që ishin të kafshuar nga qentë si dhe disa të goditur. Shumë njerëz u rrahën dhe u futën në burg, humbën punën. Por këto ishin gjëra të vogla krahasuar me atë që ne ndjenim se duhet të bënim”.
Shtypja brutale u transmetua në televizion dhe pamjet u panë anembanë botës. Robert Korlei thotë se ky incident mobilizoi mbështetje të re për lëvizjen e të drejtave civile.

“Ishte kjo fushatë me fëmijët që realisht u bë vendimtare, pasi shërbeu për të përmbushur qëllimin e Martin Luther Kingut, që të mbusheshin burgjet me nxënës, ç’ka do të detyronte komunitetin e të bardhëve të ulej në tryezën e bisedimeve me të e të negocionte një marrëveshje”.

Faktikisht, Martin Luther King dhe udhëheqësit e Birminghamit arritën një marrëveshje. Në pak muaj, ligji vendor i dallimit racial u hoq. I përndershmi Wood thotë se këmbëngulja e Martin Luther Kingut që lëvizja të vazhdonte, ishte ajo që i dha shtysë asaj.

“Ne nuk do të arrinim atë që arritëm, nëse nuk do të ishte mbështetja dhe udhëheqja e Dr. Kingut”.

Fushata e Birminghamit ishte një betejë për lëvizjen e të drejtave civile. Për shumë njerëz, kjo lëvizje është simboli i sakrificave që bënë Marthin Luther Kingu dhe mijëra afrikano amerikanë në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG