Lidhje

Roli i Turqisë në bisedimet bërthamore me Iranin


Bisedimet e fundit për programin e debatueshëm bërthamor të Iranit, të mbajtura në Stamboll të shtunën ((14 prill)), u panë si produktive nga pjesëmarrësit. Por analistët thonë se roli i Turqisë si ndërmjetësues është dobësuar për shkak të pakënaqësi në rritje të Iranit me politikën e jashtme turke, sidomos thirrjen e saj për ndryshim të regjimit në Siri.

Në të kaluarën, Turqia mbronte atë që ajo e quante program paqësor bërthamor të Iranit për energjinë dhe madje votoi kundër sanksioneve të OKB-së mbi Iranin dy vjet më parë. Por marrëdhëniet e Turqisë me Iranin kanë ndryshuar, pasi Ankaraja filloi të afrohet me aleatët e saj perëndimorë në një numër çështjesh. Richard Howitt është anëtar i komisionit të Parlamentit Evropian në Turqi.

"Turqia është kthyer përsëri aty ku duhej për çështjen e Iranit. Turqia me të vërtetë humbi një farë besimi dhe pësoi dëme në drejtim të marrëdhënieve me publikun duke kundërshtuar sanksionet, për të cilat sinqerisht ne kemi punuar shumë si në OKB dhe në BE."

Një faktor në ndryshimin e rolit të Turqisë është Siria, aleat i rëndësishëm rajonal i Teheranit.

Marrëdhëniet dikur të ngrohta mes kryeministrit të Turqisë Rexhep Tajip Erdogan dhe presidenti sirian Bashar al-Asad janë përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë vitit të kaluar për shkak të shtypjes së dhunshme të Sirisë mbi opozitën. Mbështetja e fortë e qeverisë turke për kundërshtimin ndaj Sirisë ka zemëruar Iranin.

Kjo u reflektua javën e kaluar kur Irani u përpoq të ndryshojë vendin për bisedimet me grupin P5+1 larg Stambollit. Zoti Erdogan u përgjigj me një deklaratë të shkurtër duke thënë se "për shkak të mungesës së sinqeritetit, Irani është "vazhdimisht duke humbur prestigjin e tij ndërkombëtar. "

Në fund, bisedimet u zhvilluan në Stamboll, por Irani dhe partitë e tjera ranë dakord për të mbajtur një raund tjetër në Bagdad muajin e ardhshëm.

Soli Ozel në Universitin Kadir Has të Turqisë thotë se pavarësisht nga ftohja e marrëdhënieve, Teherani ende e sheh Ankaranë si të dobishme.

"Irani ende ka nevojë për Turqinë, sepse ajo është vendi i vetëm që me të vërtetë, përpiqet shumë për një zgjidhje politike."

Përveç kësaj, Turqia merr rreth 80 për qind të gazit natyror dhe më shumë se gjysmën e naftës së saj nga Irani dhe Rusia - një aleat kyç i Iranit. Dhe kjo, thotë Ozel, duhet të sigurojë Iranin se Turqia nuk është gati të bëjë asnjë lëvizje të nxituar.

Disa kritikë thonë se Turqia mund të ketë humbur rolin e saj si një ndërmjetës për çështjen bërthamore të Iranit. Por korrespondenti Semih Idiz i gazetës turke Milliyet, thotë se për Ankaranë ka ende një rol potencialisht të rëndësishëm për të ardhmen.

"Bisedimet për Iranin duket se po shkojnë mirë edhe pa Ankaranë. Por, kur lexon mes rrjeshtave, kupton se palët janë të mbërthyera në pozicionet e tyre. Pra, nëse ka nevojë për një vend me kanale të qarta dhe të hapura me të dy palët, atëherë ndoshta ka një farë roli që mund të luajë Turqia."

Takimi i ardhshëm i Iranit me pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit plus Gjermaninë do të jetë në Bagdad në muajin maj.

Bisedimet pritet të përqëndrohen në çështjet komplekse dhe të vështira për të bindur Teheranin të bjerë dakord mbi masat që do të sigurojnë komunitetin ndërkombëtar se Irani nuk është duke përdorur programin e tij bërthamor të energjisë për të ndërtuar armë.

Teherani ka bërë thirrje tashmë për një lehtësim të sanksioneve ndërkombëtare në këmbim të lëvizjeve të tilla. Shumë analistë thonë se pajtimi i kërkesave të kundërta pritet të jetë i vështirë.

XS
SM
MD
LG