Lidhje

Tiranë: Gjendja e pakicës rome


Në Tiranë, gjendja e pakicës rome vazhdon të jetë e vështirë. Atyre u shkelen të drejtat njerëzore, vuajnë papunësi dhe diskriminim të vazhdueshëm. Shumë prej fëmijëve romë janë analfabetë, ndërsa prindërit nuk i regjistrojnë lindjet e tyre.

Organizata dhe institute nderuan sot 8 prillin Ditën Ndërkombëtare të Popullit Rom me disa veprimtari, ku u u tërhoq përsëri vëmendja tek kultura dhe vuajtjet e tyre. Gjendja e romëve në Shqipëri nuk ka asnjë përmirësim sado të vogël krahasuar me një vit më parë, pohojnë përfaqësues të tyre. Edhe ky përvjetor e gjeti pakicën rome të diskriminuar dhe në varfëri të thellë, ndërsa të drejtat e tyre njerëzore shkelen vazhdimisht.

Ende nuk ka një regjistrim të saktë të kësaj kombësie, e cila prej disa brezash nuk shënon fare në gjendjen civile lindjet dhe martesat dhe vdekjet e njerëzve të saj. Përfaqësues të Institutit të Kulturës rome pohuan sot se bashkësia rome vazhdon të vuajë fyerjet dhe diskriminimin, ngado që jeton nëpër Shqipëri është paragjykuar dhe larg të vëmendjes së institucioneve shtetërore si nga pushteti vendor ashtu edhe ai qendror.

Pakicat e diskriminuara vuajnë papunësi dhe varfëri ekstreme pa asnjë ndihmë nga shoqëria. avokati i popullit vlerësohet si i vetmi zyrtar që interesohet për romët. Ai ka paraqitur një seri rekomandimesh për të rregulluar jetën e bashkësisë rome, por asgjë nuk është plotësuar prej tyre, që nga regjistrimi i kësaj popullate, ndihma për t'u strehuar, për të shkolluar fëmijët romë dhe për të punësuar prindërit. Kërkesat e tij humbin nëpër zyra, asgjë nuk ndryshon, ndërkohë që shumica e romëve deri në 30 vjeç janë analfabetw.

Ata braktisën shkollat, duke punuar masivisht për të mbijetuar me mbledhjen e mbetjeve të riciklueshme metalike dhe plastike. Një ndihmë simbolike për ta mbetet vetëm kujdesi për të kultivuar kulturën rome në muzikë, artizanat dhe krijimtari të tjera, ku ata kanë biznese të vogla.

Dëbimet, Dhuna dhe kërcënimet ndaj romëve është një dukuri e përhapur në Shqipëri. Ata vazhdimisht u përzunë në lagjet e trenit, 21 dhjetorit, kombinati, megjithë mbrojtjen që kanë diplomatët perëndimorë të OKB, SHBA, BE, OSBE-së. Ata u kërkuan autoriteteve shtetërore që të respektojnë të drejtat njerëzore të pakicës rome, dhe t'u sigurohet strehim dhe kujdes social, që mungojnë krejtësisht.

Regjistrimi i fundit popullsisë i nxori romët rreth 8 mijë vetë, por ata janë 10 herë më shumë, të shpërndarë në Berat, Elbasan Durrës, Fier, Korcë dhe qytete të tjera të mëdha. Vetëm në kryeqytet jetojnë nëpër kasolle mbi 12 mijë romë në Yzberisht, Allias, Laprakë, Shkozë, ku vazhdimisht i përzënë me dhunë për të ndërtuar pallate.

Romët nuk përfitojnë ndihmë ushqimore e sociale, ndërsa romët e vegjël apo të moshuar nuk përfitojnë asgjë nga shërbimet shëndetësore publike. Miliona euro nga donatorët ndërkombëtarë nuk mbërrijnë asnjëherë tek romët e varfër, që janë ndarë në një shumë shoqata pa ndikim.

XS
SM
MD
LG