Lidhje

Romët e Amerikës ndjejnë tension mes traditës dhe asimilimit


Romët e Amerikës ndjejnë tension mes traditës dhe asimilimit
Romët e Amerikës ndjejnë tension mes traditës dhe asimilimit

Në serinë me 3 pjesë që transmetuam këtë javë mbi jetën e romëve në Shtetet e Bashkuara, njëri nga të intervistuarit u shpreh se bota perëndimore i njeh romët vetëm nëpërmjet lenteve të deformuara të Hollivudit ose i lidh ata me krimin. Por kultura e pasur rome, që ka evoluar për më shumë se 700 vjet, shpesh minimizohet. Në pjesën e fundit të kësaj serie do të fjasim rreth konfliktit mes dëshirës së disa romëve amerikanë për të ruajtur trashëgiminë e tyre dhe synimit për t’u integruar më shumë në këtë shoqëri.

Sot është dita më e rëndësishme e jetës së Alex Elit. Ai do të fejohet dhe kjo nuk është një fejesë e thjeshtë. Për Alexin, si rom, familja e tij do të shtrojë një darkë të madhe, që do të arrijë kulmin kur të moshuarit nga pala e nuses dhe e dhëndrit do të bisedojnë për pajën. Pjesëtarë të të dy familjeve nuk donin të dilnin në kamera në këtë mbrëmje private, prandaj shumë prej tyre nuk i kemi treguar qartë në ekran.

“Të moshuarit negociojnë një çmim, pra sa do të paguajmë ne për vajzën e tyre. Nuk dua të gënjej, është një çmim shumë i lartë. Është baraz me këstin fillestar për të blerë një shtëpi të re. Pasi bien dakord për çmimin, babai im dhe vjehrri im i ardhshëm ngrenë dolli dhe pijnë”.

Në moshën 18 vjeçare, Alex e pranon se është gati të martohet.

“Jam shumë i gëzuar, mezi pres të filloj jetën”.

Alex është pjesë e brezit të ri të romëve që qëndrojnë në shkollë për një kohë më të gjatë se sa prindërit e tyre. Ai do të bëhet pjesëtari i parë i familjes së tij që mbaron shkollën e mesme. Ai thotë se vendosi vetë, pasi e kuptoi se sa e rëndësishme ishte shkolla për të kur fitoi një çmim akademik në klasën e tetë.

“Tani kjo është pjesë e jetës time, do të mbaroj shkollën e mesme. Dhe kjo ndryshoi mënyrën time të të menduarit. Kur fillova shkollën e mesme nuk desha të largohesha sepse kisha shokë të kulturave të tjera, si hebrej, rusë, italianë, njerëz të kulturave të ndryshme. Aty e kuptova se edhe unë kam kulturën time si rom dhe mund të shoqërohem me kultura të tjera e jo vetëm me romë”.

I ati i Alexit është George Eli. Ai e përfshiu Alexin në dokumentarin e tij me titull, Në kërkim të Gozhdës së Katërt, rreth kërkimit të trashëgimisë rome në Amerikë. George Eli thotë se e mbajti Alexin në shkollë megjithë të ashtuquajturit “ligje kufizuese” të cilët i mësojnë romët të qëndrojnë larg njerzve jo-romë. Ai mendon se kjo është një traditë që mund të ketë evoluar me kalimin e viteve.

“Romët e ditëve tona, siç jam unë, mendojnë se kjo është një traditë, traditë prej mijëra vjetësh. Ata nuk e dinë se kjo traditë mund të ketë qënë një mekanizëm mbijetese për paraardhësit tanë. Ajo që ka filluar si një formë shtypjeje ka evoluar dhe njihet tani si traditë”.

Profesori i Universitetit të Texasit, Ian Hancock është rom, që imigroi në Shtetet e Bashkuara nga Anglia në vitin 1972. Ciladoqoftë origjina e të ashtuquajturve “ligje kufizuese”, thotë ai, ruajtja e tyre është shumë e rëndësishme për disa romë

“Brezi më i vjetër mendon se arsimi i madh, jashtë strukturave rome, prish identitetin dhe mund ta ndotë atë në sensin shpirtëror. Një angazhim i madh në botën jo-rome mund ta dobësojë një rom dhe mund të ndikojë në aspektin shoqëror”.

Xhaxhai i Alexit mendon se ndërsa romët e rinj integrohen më shumë në shoqërinë amerikane, ata humbasin kulturën rome.

“Dikush më tha njëherë se ne mund të jemi xhipsi, por mund të jemi edhe xhipsi-amerikanë. Ne nuk jemi të detyruar të ruajmë kulturën tonë. Ne mund të jemi amerikanë, mund ta quajmë veten ciganë, por pa kulturën tonë, ne nuk mund të jemi ciganë. Kultura jonë është e vetmja gjë që na mban të bashkuar”.

John e mban mënd kur la shkollën në klasën e tetë. I ati i tha se ishte koha që ai të martohej. Por megjithë frikën e madhe rreth humbjes së kulturës, John thotë se e kupton rëndësinë e arsimit për brezin e ardhshëm të romëve.

“Ne nuk duam të jemi romë të prapambetur në një botë moderne. Ne duam të ecim përpara me kohën”.

Paris Williams nuk mund të quhet në asnjë mënyrë e prapambetur. Ajo tani jeton në Texas, por ëndra e 9 vjeçares është të shkojë në Hollywood dhe të bëhet aktore. Dhe përse?

“Më pëlqen të jem në qendër të vemendjes!”

Gene Williams, babai i Paris, thotë se megjithëse është i shqetësuar rreth ndikimeve të asimilimit në kulturën e tyre, ai dëshiron që dy fëmijët e tij të kenë më shumë mundësi se ai vetë.

“Unë desha të qëndroja më gjatë në shkollë, megjithatë nuk arrita ta përfundoj shkollën e mesme. Mu desh të punoja sepse prindërit e mi lëviznin shumë, unë nuk qëndrova dot në një shkollë dhe pas klasës së 10-të e lashë shkollën. Unë dua që fëmijët e mi të qëndrojnë në shkollë më gjatë dhe të kenë më shumë mundësi”.

Në mbrëmjen e fejesës së Alex Elit, duket se është arritur një rrugë e mesme mes asimilimit dhe stabilitetit kulturor. Familjet pushojnë së kërcyeri në mes të muzikës amerikane pop për t’u përqëndruar tek detyra më e rëndësishme e mbrëmjes. Të dy familjet bien dakord për një marrëveshje, që e gëzon Alexin.

“Çmimi ishte i pabesueshëm … 12,700 dollarë, 2700 të kthyera nga vjehri, pra ne e morëm nusen për 10,000 dollarë. Një çmim shumë i sukseshëm. Tani është koha të argëtohemi”.

Alex nuk mund të argëtohet shumë. Ai është maturant dhe i duhet të kthehet në shkollë nesër.

XS
SM
MD
LG