Lidhje

Diskriminimi i romëve në Evropë


Një gjykatë në Hungari ka dënuar tre burra me burgim të përjetshëm dhe një tjetër me 13 vjet për një sërë vrasjesh që ka vënë në shënjestër popullsinë rome. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se frikësimi dhe diskriminimi janë një përvojë e përditshme e romëve dhe jo vetëm në vendbanimet e tyre historike në Evropën Lindore.

Katër të dënuarit ishin pjesë e një bande që kishte ndërmarrë sulme gjatë një periudhe mbi 13 mujore në vitin 2008 dhe 2009, duke vrarë gjashtë persona dhe duke tmerruar popullsinë rome të Hungarisë.

Në një nga sulmet në fshatin e Tatarszentgyorgy-t , banda i vuri zjarrin një shtëpie para se të hapte zjarr ndaj banorëve të saj. Robert Csorba dhe djali i tij 4 vjecar u vranë dhe një vajzë u plagos rëndë.

Mamaja e Robertit Erzsebet Csorba e përshëndëti vendimin e gjyqit, por tha se nuk kishte besim se ky rast do të vendoste drejtësinë më gjerë më Romët.

“Nuk mund të them që është më e lehtë tani, është më e vështirë për në, për shkak të dhimbjes që na ka bërë si të mpirë ndaj jetës”, tha ajo.

Sistemi penal i drejtësisë së Hungarisë i ka braktisur Romët, thotë Barbora Cernusakova e organizatës Amnesty International.

“Policia nuk ka udhëzime se si t’i trajtojë krimet e urrejtjes dhe sidomos me këto lloj krimesh. Po ashtu i mungon ekspertiza”.

Në vitin 2009, organizatat e të drejtave të njeriut u përpoqën që të përdornin funeralet e familjes Csorba për të inkurajuar mirëkuptimin mes Romëve dhe Hungarezëve të tjerë.

Por pas katër vjetësh, pak gjëra kanë ndryshuar, thotë Szilvia Varro e organizatës Communication Center X.

“Shoqëria hungareze është shumë e fragmentuar dhe e ndarë në dy pjesë, thotë ajo. Janë të vdekurit tanë dhe të vdekurit e tyre, kujtimet tona dhe të tyre dhe shumë rrallë kapërcehen këto ndasi”.

Romët kanë jetuar në Hungari dhe vendet fqinje me të për shekuj me radhë. Disa organizata thonë se rënia e komunizmit dhe së fundmi kriza financiare globale i ka goditur romët më shumë se pjesën tjetër të shoqërisë.

Ndërkohë parti politike anti-rome si Jobbik janë në rritje, thotë Barbora Cernusakova e Amnesty International.

“Në të kaluarën ka pasur shumë akuza se Jobbik po i përdorte në fakt Romët dhe grupet e tjera si justifikim për pakënaqësinë e përgjithshme shkaktuar nga kriza ekonomike.”

Zonja Cernusakova thotë se Romët vuajnë diskriminim në qasjen ndaj arsimit dhe kujdesit shëndetësor.

“Diskriminmi shoqëron gjithë jetën tyre dhe ndikon që nga fëmijëria e hershme e deri në fund të jetës. Është një nga komunitetet më të mëdha në Evropë që diskriminohet në këtë mënyrë. Dhe nuk është problem vetëm për Evropën Lindore, po të kesh parasysh dëbimet nga Franca dhe Italia”.

Duke filluar nga Janari 2014, qytetarët romunë dhe bullgarë – përfshrë Romët – do të lejohen të lëvizin lirisht brenda tregut evropian të punës. Bashkimi Evropian u ka bërë thirrjë vendeve anëtare që të punojnë më shumë për të integruar popullsinë prej 12 milionë Romësh.

Por organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut thonë se ka ardhur koha që Bashkimi Evropian të marrë masa ndëshkuese kundër vendeve që akuzohen për diskriminim të vazhdueshëm.
XS
SM
MD
LG