Lidhje

Rreth 150 mijë të rinj votojnë për herë të parë


Akademia e Studimeve Politike nisi sot në Tiranë një fushatë ndërgjegjësimi me të rinjtë, që votojnë për herë të parë, e mbështetur nga Bashkimi Europian, K.Q.Z. dhe ministria e arsimit.

Veprimtaritë janë pjesë e një projekti të Këshillit të Europës për edukimin e votuesve të rinj.

Diplomatë perëndimorë dhe zyrtarë shqiptarë takuan të rinjtë e shkollës së mesme “Arben Broci”, dëshmori i parë i demokracisë shqiptare pas gjysëm shekulli diktaturë, i cili u vra në protestat e 2 prillit 1991 në Shkodër.

Përfaqësuesja e Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadore Romana Vlahutin u tha të rinjve se ka rëndësi të madhe për vendin dhe për ata vetë pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet vendore ë 21 qershorit.

“Ajo është një ditë kur ju keni të drejtën tuaj personale për të zgjedhur atë që do t'iu përfaqësojë. - tha zonja Vlahutin, - Vetëm disa vite më parë, e drejta e votës iu mohohej një pjese të mirë të shoqërisë edhe në disa vende të Evropës Perëndimore. Ju sot e keni fituar këtë të drejtë për të votuar dhe mos ngurroni ta shfrytëzoni për kandidatin e duhur, që do të vendosë për shërbimet dhe zhvillimin e vendit. Kjo është mundësia juaj individuale për të zgjedhur, por mos votoni në grupe, apo mos hidhni vota familjare - tha zonja Vlahutin. - Vendosni ju vetë se cilin dëshironi t'iu përfaqësojë në pushtetin vendor, cili mendoni që do të bëjë më të mirën. Shumë njerëz kanë luftuar për të drejtën e votës, sepse kjo përfaqëson një nga të drejtat dhe liritë dhe të drejtat njerëzore dhe qytetare. Mos lejoni askënd t'ju mashtrojë, t'ju manipulojë apo t'iu blejë votat. Nëse ju ndodhin këto presione ju duhet të raportoni; vota është e drejta juaj, ajo është demokracia juaj dhe është e fshehtë. Askush nuk mund t'u detyrojë ta tregoni se si votuat”.

Rreth 150 mijë të rinj shqiptarë votojnë sivjet për herë të parë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

Por shumë të rinj thonë se nuk janë informuar ende për këtë të drejtë me rëndësi, ndaj rinisi fushata e ndërgjegjësimit të votuesve për herë të parë, e cila kryhet nga Akademisë së Studimeve Politike prej vitit 2007.

Programi ka këshilluar dy muajt e fundit 385 mësues në të gjithë shkollat e mesme publike, dhe këta më pas zhvilluan biseda me rreth 35 mijë maturatntë në orë mësimore mbi demokracinë, sistemet zgjedhore dhe rëndësinë e votës.

Në këto takime nxënësit praktikohen edhe si vëzhgues, komisionerë apo edhe si votues të thjeshtë, për të shmangur votimin familjar apo delegimin e votës.

XS
SM
MD
LG