Lidhje

Pakicat rome, egjiptase dhe ashkali


Organizata “Save the Children” ka publikuar së fundi një studim mbi gjendjen e pakicave rome, egjiptiane dhe ashkalie në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë. Nga anketimi i mijëra të rinjve nga pakicat në këto 3 shtete u zbulua një situatë e rënduar në këto komunitete: ata jetojnë në varfëri ekstreme, të diskriminuar dhe të përjashtuar nga shërbimet sociale.

Raporti rajonal i organizatës Save the Children përfshiu gjendjen e romëve në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë, pasi mblodhi anketimet e mijëra të rinjve të këtij komuniteti në të tre shtetet. Përjashtimi dhe diskriminimi i pengon ata që të zhvillojnë jetën normale dhe të drejtat e tyre njerëzore. Të tre vendet kanë ligje bashkëkohore për romët, por ato nuk zbatohen dhe pakicatt ndihen të përjashtuara si individë nga institucionet dhe nga shoqëria.

Nëpër shkolla ekziston një diskriminim dhe përjashtim i përhapur i të rinjve romë, ashkali dhe egjiptianë. Shkalla e braktisjes së shkollës prej tyre është më e lartë se ajo e bashkësive të tjera. Disa mësues i përforcojnë paragjykimet shoqërore kundër këtyre grupeve. Të rinjtë romë, ashkali dhe egjiptianë kanë më pak përfitime nga sistemet arsimore ekzistuese sesa të rinjtë e tjerë.

Për këto komunitete mungojnë statistika të veçanta sipas përkatësisë etnike. Nga ana tjetër, pakicat rome, egjiptiane dhe ashkali e nuk kanë as vetëdijen për të kuptuar diskriminimin ndaj tyre. Popullsia rome, ashkali dhe egjiptiane duhet të informohet me njohuri dhe aftësi për të identifikuar diskriminimin kundër tyre e për ta goditur atë.

Diskriminimi gjinor është i përhapur tashmë në të tri vendet. Vajzat bien pre e martesave të hershme në komunitetet rome, egjiptiane dhe ashkali, ndaj ato kanë më pak vite shkollimi dhe e braktisin shkollën më shpesh se djemtë romë, egjiptianë dhe ashkali.

Të rinj romë, ashkali dhe egjiptianë janë të përjashtuar, nuk përfshihen shoqërisht në fushat ekonomike dhe politike. Shumica e të rinjve romë dhe familjet e tyre jetojnë nën minimumin jettik të varfërisë, janë të papunë ose të punësuar në të zezë. Të rinjtë romë dhe egjiptianë në Shqipëri nuk janë të përfshirë në pushtetin vendor. Përjashtimi politik sjell edhe mosangazhimin social dhe politik brenda komuniteteve rome dhe egjiptiane, duke dobësuar edhe më tej përfshirjen e tyre sociale. Ligjet dhe politikat janë të favorshme për përfshirjen e tyre sociale, por zbatimi i tyre është ende i kufizuar për shkak të mungesës së burimeve financiare dhe njerëzore.

Shumë romë jetojnë në varfëri ekstreme. Romët e rinj dhe të rritur mungojnë në forcat e afta për punë në çdo sektor me rëndësi. Ata kanë nivel të ulët arsimor, një përqindje më të lartë të braktisjes së shkollës në të gjitha nivelet e sistemit arsimor në raport me popullsinë jo rome. Edhe pse nuk ka diskriminim ligjor në edukimin e fëmijëve romë, ky diskriminim ndaj fëmijëve romë bëhet individualisht nga mësuesit dhe përjashtimi social nga vetë shkolla përmes mosveprimit. Romët kanë njohuri të dobëta pune si rezultat i një edukimi të dobët.

Ka mangësi të dukshme në regjistrimin civil dhe të dhënave të autorizuara për komunitetin rom, gjë që nuk i lejon qeveritë të veprojnë apo i justifikon për mosveprimin e tyre për të zgjidhur problemet e romëve. Shumë të rinj, por sidomos vajzat rome, martohen në një moshë shumë të hershme duke pakësuar shanset e tyre për arsimim, për një shëndet të mirë dhe një përfshirje më të thellë sociale dhe civile në shoqëri. Shumë të rinj dhe të rritur romë nuk e kanë të qartë konceptin e diskriminimit dhe si rezultat ata shpesh nuk e kuptojnë që diskriminohen. Përfshirja sociale, qytetare dhe politike e romëve është në rastin më të mirë e pamjaftueshme dhe në rastin më të keq nuk ekziston fare.

Studimi theksoi se përpjekjet e pakicave për të përmirësuar jetën e tyre, për të marrë pjesë në politikë dhe ekonominë e vendeve të tyre mund të mund të japin rezultate vetëm me angazhim nga vetë këto komunitete të pakicave, sepse në të tre vendet ata janë sipërmarrës të aftë edhe në situata të pafavorshme. Kështu ata mund të bëhen vetë konkurrues në tregun e punës, profesionistë apo si sipërmarrës.

XS
SM
MD
LG