Lidhje

Kërcënohen të dëbohen dhjetra familje rome


Prishen baraket për ndërtimin e pallateve. Avokati i Popullit, OSBE dhe BE të shqetësuar. Kryesuesi i OSBE-së: Ka sundim të betonit apo sundim të ligjit?

Në Shqipëri, kërcënimi i dëbimit të disa dhjetra familjeve rome nga mjediset ku ata jetojnë në Tiranë, për shkak se aty pritet të ndërtohen disa pallate, ka shqetësuar avokatin e Popullit, Osbe-në dhe Bashkimin europian. Përfaqësuesi i delegacionit të BE-së tha sot se respektimi I të drejtave të romëve është një nga 12 rekomandimet e Brukselit për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Ndërsa kryetari në detyrë i OSBE-së u shpreh se institucionet duhet të dëshmojnë nëse në vend ka sundim të ligjit apo sundim të betonit. Avokati i popullit Igli Totozani nga ana tij ka kërkuar ndërhyrjen e Bashkisë së Tiranës por edhe të policisë, të cilat deri më tani nuk kanë reaguar.



Janë 70 familje rome që prej vitesh jetojnë në kushte të mjerueshme në një zonë të Tiranës, e që tani rrezikojnë të mbeten nën qiell të hapur, pasi aty është parashikuar të ngrihen pallate të reja. Disa prej barakeve janë rrafshuar prej fadromave të firmës së ndërtimit, pas të cilës, sipas mediave, qëndron një emër i njohur, Mihal Delijorgji, sipërmarrësi i fabrikës së demontimit të armëve që shpërtheu në Gërdec, i cili pak muaj më parë la qelitë e burgut. Delijorgji, i përfolur për lidhjet e tij të forta, me të gjithë krahët e politikës shqiptare, ishte sot vetë ne mjediset ku romët protestojnë se po i largojnë më dhunë e tregojnë madje se në një rast, banesave të tyre prej dërrase e plastmasi u është vënë flaka natën nga persona të panjohur. Ata kërkojnë nga autoritetet që të mendohet për sistemimin e tyre: “Jemi aty ku nuk mban më. Fëmijët nuk kanë për të ngrënë. Edhe ato barake nuk na i lenë. Po na shkelin me këmbë. Po bëjnë dallime raciale. NJerëz janë ata, njerëz jemi dhe ne. Cfarë po bën shteti?”, shprehen me indinjatë banorët romë të kësaj zone.

Për këtë cështje rreth së cilës pak ditë më parë ndërhyri edhe Amnesty International, është angazhuar Avokati i Popullit Igli Totozani. Përpjekjeve të tij i janë bashkuar edhe përfaqësuesit e OSBE-së dhe Bashkimit europian në Tiranë.“Policia e Shtetit të ndërhyjë dhe të ndalojë këtë situatë paligjshmërie të krijuar ndaj qytetarëve romë. Zgjidhja e këtij problemi duhet të realizohet përmes një procesi të rregullt ligjor ku palë duhet të jenë pronarët dhe familjet rome. Në mënyrë të vecantë Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Punës, duhet të punojnë në mënyrë urgjente për të garantuar trajtimn e cështjes së strehimit të familjeve rome që janë jashtë kësaj zone. Janë tanimë 30 familje të dëbuara”, deklaroi zoti Totozani.

Avokati i Popullit tha se institucionet duhet të jenë në lartësinë e detyrës dhe të një vendi që synon të integrohet në Bashkimin europian. Ndërsa përfaqësuesi i delegacionit të BE në Tiranë, nënvizoi se respektimi i të drejtave të romëve është një cështje e ndjeshme dhe një nga rekomandimet për marrjen e statusit të vendit kandidat: “Përforcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut për romët është ndër 12 prioritetet kyçe të Opinionit mbi aplikimin për anëtarësim të Shqipërisë në BE, dhe si e tillë ajo përfaqëson njërin prej kushteve për të ecur përpara në rrugën e integrimit në BE”, tha i ngarkuari me punë, Jochen Schult.

Ndërkohë kryetari i radhës i OSBE-së në Shqipëri. Robert Wilton ishte mjaft i prerë në qëndrimin e tij: “Pyetja është e thjeshtë, ose këtu është sundimi i betonit, ose është sundimi i ligjit”.

Por deri tani kjo pyetje ka mbetur pa përgjigje.
XS
SM
MD
LG