Lidhje

Obama dhe Romney intensifikojnë fushatën presidenciale

  • Kent Klein

Në një ditë intensive të fushatës dje, Presidenti Barak Obama dhe kundërshtari i tij republikan, Mitt Romney, kanë kritikuar planet ekonomike të njëri-tjetrit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klein, të dy kandidatët janë duke zhvilluar vizita në shtetet e papërcaktuara, ku ka të ngjarë që të vendoset fituesi i zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Me përfundimin e Kuvendit Kombëtar të Republikanëve dhe fillimin e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike javën e ardhshme, dhe duke marrë parasysh se sondazhet tregojnë se dy kandidatët praktikisht kanë mbështetje të barabartë, Presidenti Obama dhe ish-guvernatori Romney janë duke punuar shumë për të fituar më shumë vota.
Dy muaj para zgjedhjeve, zoti Romney dhe gruaja e tij, Ann Romney, dje bënë fushatë në Cincinnati të Ohajos.
Zonja Romney tha se burri i saj mund të zgjidh problemet ekonomike të Amerikës.

“Ne kemi vizituar mbarë vendin dhe kemi parë shumë familje dhe individë që janë duke vuajtur, që janë në kërkim të shpresës dhe ndihmës. Dua t’ju njoftoj se ndihma për ta është duke ardhur”.

Ekonomia është çështja kryesore në zgjedhjet e këtij viti, dhe shumica e votuesve të anketuar thonë se presidenti nuk e ka trajtuar mirë çështjen e ekonomisë.

Zoti Romney i tha turmës në Cincinnati se ai do të bëjë një punë më të mirë se zoti Obama për rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Ne kemi një plan, Paul Ryan dhe unë kemi një plan, për ta kthyer Amerikën në punë përsëri. Me këtë plan ne do të krijojmë rreth 12 milion vende të reja pune në Amerikë dhe rreth 460 mijë vende pune këtu në Ohajo”.

Asnjë republikan nuk është zgjedhur president pa fituar Ohajon, dhe asnjë demokrat nuk e ka bërë këtë që nga fitorja e presidentit John F. Kennedy në vitin 1960.

E shtuna ishte dita e parë që Presidentit Obama e shfrytëzoi plotësisht për të bërë fushatë që nga përfundimi i Kuvendit të Partisë Republikane. Ai i tha demokratëve pranë qytetit Des Moines të Ajovës se atij nuk i kishte bërë përshtypje mesazhi kryesor i Kuvendit të Republikanëve.

“Gjithçka është keq dhe për këtë fajtor është Obama. Dhe guvernatori Romney është i vetmi që e di sekretin e krijimit të vendeve të punës dhe rritjes së ekonomisë. Ky ishte mesazhi i tyre. Është folur shumë për të vërtetën e vështirë dhe për vendime të guximshme, por asnjëri prej tyre nuk u tregojë juve se për çfarë vendime të vështira ata e kishin fjalën”.

Presidenti tha se politikat ekonomike të republikanëve do të ndihmojnë vetëm të pasurit, dhe nuk do të shpejtojnë rimëkëmbjen ekonomike të vendit.
Kjo ishte vizita e dytë e presidentit Obama në shtetin e Ajovës në më pak se një javë. Në itinerarin e tij është vizita e tij e dytë në një javë në shtetin perëndimor të Kolorados, si dhe një tjetër ndalesë në Ohajo.

Të hënën Presidenti do të shkojë në Luiziana për të vlerësuar reagimin e qeverisë ndaj uraganit Isaac, dhe të martën ai do të bëjë fushatë në shtetin e lëkundur të Virxhinias.

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike fillon të martën në Charlotte të Karolinës Veriore, ku presidenti do mbaj fjalim të enjten.
XS
SM
MD
LG