Lidhje

Tiranë: Takimi Rama - Basha, komentojnë studiuesit e politikës


Mbyllja pa marrëveshje mbi reformimin e sistemit të drejtësisë e takimit të djeshëm mes qeverisë dhe opozitës është për vëzhguesit e politikës shqiptare një dështim i pritur dhe rezultat logjik i ecurisë së këtij procesi, pavarësisht angazhimit serioz të faktorit ndërkombëtar; SHBA dhe BE.

Dr. Romeo Gurakuqi, drejtor i shkollës doktorale në UET, thotë që ngjarja e fundit tregoi se Shqipëria ka nevojë për një reformë të thellë institucionale, që duhet të përfshijë sistemin e drejtësisë dhe të gjithë republikën.

"Një reformë e sistemit të drejtësisë, e kontrolluar në një masë të madhe nga parlamenti dhe nga partitë politike, dhe një reformë e ndërtuar, pavarësisht mbështetjes së ndërkombëtarëve, qysh në fillesë nga faktorë, të cilët janë të lidhur me partitë politike të ekstremit të majtë, unë mendoj që rezultati do të ishte ky që ndodhi. Edhe mënyra se si u organizua takimi, edhe mënyra se si ka ndryshuar përbërja e delegacioneve në minutën e fundit tregon që midis palëve ka një mungesë besimi të theksuar. Nuk e kanë marrë seriozisht atë çfarë duhej të bënin dhe atë çfarë priste publiku" - thotë zoti Gurakuqi.

Takimi ngalli shpresa pas zvarritjes dy vjet të reformës dhe deklaratave të forta të partnerëve ndërkombëtare amerianë dhe europianë, si dhe kur u tha se palët ranë dakord për disa pika bazë.

Por studiuesi shkencave sociale në po atë universitet, dr.Roland Lami, thotë se takimi i djeshëm ishte zhgënjyes.

"Palët kanë zgjedhur që ato gjëra që i thonë në publik t'i thonë edhe një herë ballë për ballë me njëri tjetrin dhe të bëjnë më pak mund për të gjetur gjuhën e përbashkët me njëri-tjetrin dhe më shumë përpjekje për të treguar se kush e do më shumë reformën dhe kush e do më pak reformën. është zhgënyjese për ne si qytetarë, dhe për partnerët tanë strategjikë, të cilët kanë investuar për këtë reformë dhe ka një kosto për ne kjo e gjitha, si në afrimin me Be-në ashtu edhe në marrëdhëniet me SHBA-të" - tha zoti Lami.

Nevoja për t'u rikonceptuar çdo institucion i republikës demokratike, thotë dr. Gurakuqi vjen sepse në Shqipëri të drejtat e njeriut shkelen në mënyrë masive si nga mungesa e shtetit të së drejtës ashtu edhe nga mënyra se si jepet drejtësia në gjykata.

"Ne jemi një republikë parlamentare me një asambleizëm të copëtuar politik, me një fragmentim të theksuar të partive politike, me një korrupsion të lartë. Ne kemi një situatë shumë të rënduar të krimit të organizuar dhe të krimit në përgjithësi, kemi edhe lidhje të politikës me krimin e organizuar dhe kemi një situatë të rënies së republikës për shkak të rënies së incizimeve të paakorduara nga ligji, nga ente private, të cilat kanë skanuar të gjithë territorin për qëllime ogurzeza. Kjo e ka rënduar situatën dhe republika ndodhet në rrezik. Si rregullt, në raste të tilla, partitë duhet të merren vesh për një gjë tjetër; për të reformuar jo vetëm drejtësinë, por edhe të gjithë republikën në pikëpamje institucionale" - tha zoti Gurakuqi.

Qëndrimet e të dy palëve ndaj reformës në drejtësi kanë pikëpyetje mendojnë studiuesit dhe ato nuk sqarohen më thellë; për shembull PD, thotë dr. Lami, duhet të sqarojë pse faktori ndërkombëtar këmbëngul që opozita të heqë ngurrimin për të përparuar me këtë reformë, sepse deri tani po lë të kuptohet se është opozita ajo që nuk e do reformën e drejtësisë.

Por në fakt të dyja palët po bëjnë prova force në vend që të bëjnë prova tolerance, shtoi ai.

"Është i papranueshëm qëndrimi i liderit të maxhorancës, zotit Rama, i cili pas takimit deklaroi se tashmë shumica do ta dërgojë projektin e amendamenteve në parlament. Por ne e dimë që nëse nuk jepet dakordësia nga opozita, atëherë nuk bëhen 94 vota. Atëherë ti ke vajtur për të negociuar, a i ke shterruar të gjitha alternativat, a i ke shterruar të gjitha hapësirat që del me këtë deklaratë, apo edhe ti nuk e do këtë reformë? Unë dyshoj se këta të dy nuk e duan këtë reformë, se duan ta zgjasin, pavarësisht se kush është më interesant në argumenta, apo se kush gjen më shumë artificat, apo kush lobon më shumë te faktori ndërkombëtar. Thelbi, për mua është që të dy palët nuk kanë vullnet për ta kaluar këtë reformë. Është lajm i keq për të gjithë ne" - tha zoti Lami.

Të dy studiuesit besojnë se reforma themelore si ajo e drejtësisë dhe fusha të tjera kryhen nga njerëz të paanshëm që angazhohen me konsensus të përgjithshëm.

Ata mund të krijojnë ekuilibra të reja midis institucioneve që dështojnë në hapat demokratike, por deri atëherë duhet më së pari mirëkuptimi i partive, i cili mungon thuajse gjithmonë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG