Lidhje

Vazhdon gjendja e rëndë e familjeve rome


Për të njëmbëdhjetën ditë 40 familjet rome vazhdojnë jetën e vështirë dhe pa asnjë ndihmë në qiell të hapur disa kilometra nga qendra e kryeqytetit, pasi iu shembën kasollet në një zonë ku do të ndërtohen pallate. Disa nga shoqatat e romëve po vijnë tani për t'i ndihmuar pjesëtarët e komunitetit të tyre, sepse aty pranë janë gati për prishje edhe disa kasolle të tjera romësh, gjë që ata duan ta shmangin.

Familjet rome
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:04:02 0:00

Një vit më parë disa qindra familje rome u larguan me dhunë dhe kasolleve të tyre iu vu zjarri në një zonë pranë stacionit të trenit, por dëbimet dhe kërcënimet ndaj tyre janë të vazhdueshme. Përfaqësuesit e këtyre shoqatave pohojnë se dhuna e ushtruar ndaj familjeve rome në zonën e 21 dhjetorit nuk është një rast i izoluar dhe se romët po i përzejnë me forcë edhe nga zona të tjera të Tiranës dhe në qytete të tjera.

Veprimtarët e rinj të komunitetit rom po përpiqen të sjellin ndihma me ushqime dhe ilace, duke shpresuar se këmbëngulja e diplomatëve perëndimorë do të sjellë një zgjidhje të përshtatme në dobi të komunitetit rom. Përfaqësues të OKB, SHBA, BE, OSBE-së po kërkojnë njëzëri që të drejtat njerëzore të komunitetit rom të respektohen dhe autoritetet të sigurojnë strehim dhe kujdes për romët e mbetur pa strehë nga prishja e kasolleve të tyre fare pranë qendrës së kryeqytetit.

Jozyrtarisht vlerësohet se në gjendje të tillë të rëndë janë të paktën 150 mijë romë në të gjithë Shqipërinë dhe masat për integrimin e tyre në shoqëri janë të pamjaftueshme. Komunitetet rome janë shpesh të paregjistruar në zyrat e gjendjes civile, ndaj edhe nuk marrin asnjë ndihmë ushqimore apo asistencë sociale, ata nuk kanë banesë të përhershme, nuk kanë punë të përhershme dhe fëmijët e tyre nuk regjistrohen nëpër shkolla për t'u arsimuar, pa përmendur këtu se romët e vegjël apo të moshuar nuk përfitojnë asgjë nga shërbimet shëndetësore publike.

Në kasollet e tyre nuk mbërrijnë asnjëherë as fondet që ndajnë donatorët ndërkombëtarë; ato shpesh humbin në morinë e projekteve kulturore e sociale nga organizata që nuk kanë lidhje me komunitetet rome. Në Shqipëri veprojnë në fakt disa duzina me shoqata rome, të cilat ose nuk gjejnë mbështetje nga donatorët, ose merren me veprimtari larg halleve të komunitetit të tyre.

XS
SM
MD
LG