Lidhje

Romney pranon emërimin e Partisë Republikane

  • Ilir Ikonomi

Mitt Romney pranoi mbrëmë emërimin e partisë republikane si kandidat i saj për president me një fjalim të gjatë në të cilin kritikoi ashpër politikat ekonomike të Presidentit Obama dhe premtoi miliona vende pune për amerikanët. Në fjalimin më të rëndësishëm të fushatës së tij presidenciale, zoti Romney shpalosi gjithashtu vizionin e tij për një Amerikë, e cila të jetë në gjendje të udhëheqë botën me novacione dhe të ketë një ushtri të fuqishme.

Me një skenar të orkestruar me kujdes nga organizatorët, Mitt Romney hyri në sallën e kuvendit duke kaluar përmes delegatëve të cilët e pritën me duartrokitje dhe shtrënguan duart me të.

Ai mbajti një fjalim të gjatë dhe të fuqishëm, ku vuri në shpnjestër politikat ekonomike të presidentit Obama, për të argumentuar se amerikanët nuk jetojnë sot më mirë se sa katër vjet më parë, kur rivali i tij demokrat erdhi në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Romney u tha delegatëve se ka ardhur koha që amerikanët të lenë pas zhgënjimet e katër viteve të fundit, përçarjet dhe akuzat ndaj njëri-tjetrit, dhe të rikthejnë premtimin e Amerikës.

“Ajo që është e nevojshme në vendin tonë sot, nuk është e komplikuar apo e thellë. Nuk duhet ndonjë komision i posaçëm qeveritar për të na treguar se për çfarë ka nevojë Amerika. Ajo që i duhet sot Amerikës janë vendet e punës, shumë vende pune,” tha zoti Romney.

Zoti Romney tha se ishte futur në garën presidenciale për të ndihmuar në krijimin e një të ardhmeje më të mirë, ku çdokush që dëshiron një punë të mund të gjejë një punë, ku një i moshuar të mos ketë frikë për sigurinë e pensionit të tij.

Ai tha se do të përpiqet për një Amerikë, ku çdo prind e di se fëmija i tij do të marrë një arsim që i jep një vend pune të mirë dhe një horizont të ndritur.

Zoti Romney paraqiti një plan për të krijuar 12 milionë vende pune dhe për ta bërë Amerikën të pavarur nga pikëpamja energjitike:

"Në vitin 2020, Amerika e Veriut do të jetë e pavarur në pikëpamje energjitike duke përfituar plotësisht nga nafta dhe qymyrguri i saj, nga gazi dhe energjia bërthamore apo energjitë e tjera të ripërtëritshme.”

Zoti Romney u premtoi sipërmarrësve në Amerikë se investimet e tyre në nuk do të zhduken siç ndodhi në Greqi. Ai tha se do të shkurtonte deficitin federal për ta vënë Amerikën në rrugën e duhur me një buxhet të balancuar.

Zoti Romney tha se do të ndihmonte bizneset e vogla duke pakësuar taksat për to, duke thjeshtuar dhe modernizuar rregullore që e rëndojnë biznesin e vogël.

Kjo, tha ai, nënkupton se ne duhet të frenojmë kostot në rritje të kujdesit shëndetësor duke shfuqizuar dhe zëvendësuar planin shëndetësor të zotit Obama të njohur si Obamacare.

"Unë urova që Presidenti Obama të kishte sukses, sepse unë dua që të ketë sukses Amerika. Por premtimet e tij i hapën rrugën pakënaqësive dhe ndarjeve. Këtë ne nuk duhet ta pranojmë. Tani është momenti kur ne mund të bëjmë diçka. Me ndihmën tuaj, ne do të bëjmë diçka.”

Zoti Romney premtoi se do të punojë për një Amerikë në gjendje për të zhvilluar një ekonomi që do t’i verë amerikanët përsëri në punë, që do të udhëheqë botën përsëri me risitë dhe produktivitetin e saj. Duke kritikuar shkurtimet në buxhetin ushtarak të vendit, ai tha se do të punojë që Amerika të mbajë një ushtri aq të fuqishme saqë asnjë vend i botës të mos guxojë ta verë në provë.

“Nëse zgjidhem President i Shteteve të Bashkuara, unë do të punoj me gjithë energjinë dhe shpirtin tim për ta rikthyer një Amerikë të tillë, që ne të synojmë drejt një të ardhmeje më të mirë”, tha zoti Romney.

Sot, kandidati republikan për president do ta vazhdojë fushatën në Cincinati të shtetit Ohio.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG