Lidhje

Profil i kandidatit republikan, Mitt Romney

  • Jim Malone

Fushata e zotit Romney është përqendruar në përvojën e tij si drejtues biznesi

Ish-guvernatori i Masaçusetsit dhe kandidati republikan për president Mitt Romney është në një garë të ngushtë me presidentin Obama disa ditë para zgjedhjeve presidenciale të së martës. Në vazhdim ju sjellim një profil të kandidatit republikan i cili mund të bëhet presidenti i 45 amerikan nëse fiton ndaj presidentit Barak Obama:



Partia Republikane përfaqësohet në zgjedhjet e nëntorit me kandidatët Mitt Romney dhe Paul Ryan. Në fushatën për t’u bërë Presidenti i 45 amerikan, zoti Romney përpiqet të vërë në pah aftësitë e tij për të rimëkëmbur ekonominë amerikane.

“Unë i kuptoj këto gjëra, dhe dua që ta shfrytëzoj këtë përvojë për të krijuar punë të mira për të gjithë amerikanët që duan punë”.

Nëse zgjidhet, zoti Romney thotë se do të ulë taksat, do të shkurtojë shpenzimet qeveritare dhe deficitin buxhetor si dhe do të anulojë ligjin e Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor. Ai thotë se do të krijojë 12 milionë vende pune gjatë mandatit të tij të parë katër vjeçar.

Zoti Romney bëri fitime prej miliona dollarësh kur ishte një ndër drejtuesit e kompanisë Bain Capital, një ndër firmat më të mëdha të investimeve në botë. Ai ndihmoi për të shpëtuar nga problemet financiare Lojërat Olimpike Dimërore 2002 në Salt Lake City dhe ishte guvernator i shtetit Masaçusets për një mandat.

Zoti Romney nuk pati sukses katër vjet më parë, kur u përpoq të merrte emërimin e Partisë Republikane si kandidat për zgjedhje.

Por këtë radhë ai i rezistoi konkurrencës nga rivalët më konservatorë Rick Santorum dhe Newt Gingrich dhe kapërceu dyshimet për fenë e tij mormone. Zoti Romney tani kryeson përpjekjet e partisë së tij për të mundur Presidentin Obama të martën, thotë analisti John Fortier:

“Mitt Romney mund të mos jetë kandidati më entuziast, por dëshira për të mundur Presidentin Obama është një faktor i fortë motivues për republikanët”.

Në frontin e politikës së jashtme, zoti Romney thotë se Presidenti Obama ka dëmtuar marrëdhëniet me aleatin e Amerikës, Izraelin dhe nuk është treguar i ashpër sa duhet ndaj Iranit, Kinës dhe Rusisë. Ai ka kritikuar presidentin për reagimin ndaj sulmit në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë. Katër amerikanë humbën jetën në këtë sulm.

“Në marrëdhëniet me vende të tjera, Presidenti ka treguar besim tek njerëz që nuk e kishin fituar këtë besim, ka ofenduar njerëz që nuk e meritonin dhe ka kërkuar ndjesë atje ku nuk duhej”.

Zoti Romney është përqendruar tek problemet e ekonomisë. Në debatin e parë presidencial me presidentin Obama , zoti Romney gjithashtu premtoi se nëse zgjidhet president ai do të bashkëpunojë me të dyja partitë në qeverisjen e vendit.

“Republikanët dhe demokratët e duan Amerikën por ne kemi nevojë për një udhëheqje të fortë në Uashington që do të bashkonte njerëzit dhe do të bënte punën. Për mua nuk ka rëndësi bindja partiake. Kam bashkëpunuar me të dyja partitë në të kaluarën dhe do ta bëjë të njejtën gjë përsëri”.

Mbështetja për zotin Romey në sondazhe u ngrit pas debatit të parë dhe shumë analistë tani thonë se gara është e ngushtë dhe është vështirë të parashikohet fituesi.
Disa analistë thonë se mënyra si e perceptojnë njerëzit Mitt Romney-n do të diktojë rezultatin e zgjedhjeve.

Peter Brown është specialist i anketimeve.

“Po zhvillohet një betejë për ta identifikuar Mitt Romney-n para votuesve amerikanë. Kampi Obama do t’i gjejë një identifikim negativ, ndërsa fushata e zotit Romney po përpiqet ta portretizojë sa më pozitivisht. Fitorja do t’i përkasë atij kampi që tregohet më bindës në këtë përpjekje”.

Mitt Romney është 65 vjeç, i martuar që nga viti 1969 me Ann Romney-n me të cilën ka pesë djem.
XS
SM
MD
LG