Lidhje

Romney, Santorum dhe Paul fituesit kryesorë në Iowa

  • Jim Malone

Romney, Santorum dhe Paul fituesit kryesorë në Iowa

Romney, Santorum dhe Paul fituesit kryesorë në Iowa

Ish guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney u shpall fitues i konferencave partiake republikane në Iowa me një ndryshim shumë të vogël votash ndaj rivalit të tij, ish senatorit të shtetit Pennsylvania, Rick Santorum. Kjo ishte një fitore e madhe për të dy kandidatët, të cilët për disa orë me rradhë gëzonin mbështetje thuajse të barabartë. Kongresmeni Ron Paul nga Texas-i zuri vendin e tretë në sprovën e parë të rëndësishme në garën e këtij viti për të siguruar emërimin e Partisë Republikane dhe për t’i bërë sfidë Presidentit Barak Obama në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

Kryetari i Partisë Republikane në shtetin e Iowa-s, Matt Strawn tha sot në mëngjes se Mitt Romney kishte fituar në këtë shtet 8 vota më shumë se sa rivali i tij i afërt.

Konferencat partiake republikane të Iowa-s hapin kështu procesin për emërimin e Partisë Republikane të kandidatit që do të konkuronte ndaj Presidentit Barak Obama në zgjedhjet e 6 nëntorit.

Mitt Romney deklaroi se pa udhëheqjen e tij Amerika do të jetë në një rrezik të madh nga Irani, vend që së shpejti, thotë ai, mund të ketë një armë bërthamore.

Ai e shfrytëzoi gjithashtu fjalimin me rastin e fitores së djeshme për të kritikuar politikën e brendshme të Presidentit Obama dhe për të theksuar papunësinë e lartë, madje premtoi se do të hapë vende pune për amerikanët:

"Do të punoj për ta kthyer përsëri në punë Amerikën dhe për ta bërë atë përsëri një vend tërheqës për ata që hapin vende pune, për novatorët dhe për investitorët dhe vendet e punës do të fillojnë të krijohen siç ka ndodhur në të kaluarën", tha zoti Romney.

Ishte gjithashtu një natë e gjatë për pretendentin më pak të preferuar konservator, Rick Santorum, i cili përjetoi një rritje popullariteti gjatë javëve të fundit.

"Ju keni bërë hapin e parë për të marë përsëri nën kontroll vendin tuaj"!

Në vende të tretë doli kongresmeni i Texas-it, Ron Paul.

“Energjia që ju keni dhe përpjekjet që keni bërë, por ajo që më bën të ndjehem me të vërtetë mirë është se ju po bëni diçka sepse besoni në të”.

Votuesit u mblodhën në grupe në gjithë shtetin e Iowa-s, në dhoma të vogla, ku votat u numëruan me dorë dhe në takime më të mëdha si ky në një shkollë të mesme afër qytetit Des Moines.

Samona Joy Yentes loboi fqinjët e saj në mbështetje të kandidatit Rick Santorum madje foli edhe para mbledhjes në emër të tij.

“Ne duam të mbështesim një kandidat të fuqishëm, që ne mendojmë se do t’i kundërvihet dhe do të fitojë kundër presidentit Barak Obama dhe do të sigurojë një udhëheqje të fortë për vendin tonë”.

Por ishte një natë zhgënjyese për guvernatorin e Texas-it, Rick Perry, kongresisten Michele Bachmann nga Minnesota dhe ish kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, të cilët fituan shumë më pak vota dhe tani duhet të gjejnë një mënyrë riorganizmi.

Rezultati i ngushtë në Iowa mund të tregojë se fushata republikane do të jetë e gjatë dhe përçarëse, thotë anketuesi, Frank Luntz.

“Është interesant fakti që disa republikanë janë më shumë të interesuar të fitojnë ndaj njeri tjetrit se sa ndaj presidentit. Kjo nuk do të ketë ndikime pozitive në afatin e gjatë”.

President Obama foli për demokratët, që u mblodhën për të në Iowa, ndërkohë që kryetarja e Partisë Demokrate, Debbie Wasserman Schultz u tha gazetarëve se presidenti është gati të ndeshet me cilindo republikan, që fiton emërimin e partisë.

“Presidenti do të luftojë për klasën e mesme, duke filluar me rritjen ekonomike. Ai do të luftojë ndaj çdo republikani, që synon të na kthejë në politikat e dështuara të së kaluarës, që na sollën në prag të një katastrofe ekonomike”.

Gara republikane vazhdon tani në shtetin New Hampshire, ku Mitt Romney gëzon mbështetje të madhe.

XS
SM
MD
LG