Lidhje

Fjalimi i kandidatit Mitt Romney mbi politikën e jashtme


Kandidati republikan për president Mitt Romney dje tha se nëse i fiton zgjedhjet e muajit ardhshëm, ai do të jetë një president i fortë në arenën ndëkombëtare. Ai përdori një fjalim në Institutin Ushtarak të Virxhinias për të akuzuar rivalin e tij demokrat presidentin Barack Obama se ka treguar dobësi në drejtimi e poltikës së jashtme.

Mitt Romney u përpoq të sqaronte për votuesit se si do ta drejtonte politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara nëse zgjidhet president dhe bëri dallime mes pikëpamjeve të tij dhe atë që ai e quan udhëheqje të dobët të presidentit Obama në çështjet globale.

Ai u përqëndrua kryesisht në Lindjen e Mesme, ku zoti Romney tha se sulmet ndaj ambasadave amerikane, përfshirë sulmin në të cilin u vra ambasadori amerikan në Libi, nuk ishin të rastësishme, por “një shprehje e një lufte më të madhe” që po zhvillohet në rajon.

Ish guvernatori i Massachusetts, tha se më në fund edhe vetë Presidenti Obama e ka pranuar se sulmi që ka ndodhur në Libi është vepër e terroristëve. Zoti Romney akuzoi presidentin se ka dështuar të udhëheqë.

“Dua të jem shumë i qartë se faji për vrasjen e njerëzve tanë në Libi dhe sulmet mbi ambasadat tona në shumë vende bie vetëm mbi autorët e tyre e askënd tjetër. Por është përgjegjësi e Presidentit që të përdorë fuqinë e madhe të Amerikës për të krijuar historinë e jo të udhëheqë nga prapa, duke lënë fatin tonë në mëshirën e ngjarjeve. Për fat të keq, nën presidentin Obama ne jemi pikërisht në këtë rrugë në rajonin e Lindjes së Mesme”.

Zoti Romney tha se si president ai do të mbështesë miqtë të cilët ndajnë vlerat e Amerikës dhe do të vendos “kushte të qarta” për ndihmën e jashtme amerikane.

Zoti Romney akuzoi presidentin Obama për mungesë lidershipi në lidhje me Sirinë. Por zoti Romni tha se ai do të bëjë gjithçka për të ndihmuar udhëheqësit e ardhshëm të Sirisë. Ish-guverntari Romney tha se duhet të identifikohen anëtarët e opozitës siriane që ndajnë vlerat me amerikanët dhe pastaj duhet të sigurohet furnizimi i tyre me armë.

Zoti Romney kritikoi edhe politikat e presidentit Obama ndaj programit bërthamor të Iranit dhe akuzoi presidentin se është përpjekur të distancojë Shtetet e Bashkuara nga Izraeli.


Shtëpia e Bardhë dhe fushata e presidentit Obama reagoi menjëherë ndaj fjalimit të zotit Romney.

Zyrtari i fushatës së presidentit Obama Ben LaBolt tha se anketat e opinionit publik tregojnë se zoti Obama është në epërsi ndaj zotit Romney në çështjet e sigurisë kombëtare, mes tjerash, për shkak të përfundimit të luftës në Irak, zvogëlimit të al-Kaidës dhe vrasjen e Osama bin-Ladenit.

Madeleine Albright, e cila ishte Sekretare e Shtetit në administratën e presidentit demokrat Bill Clinton, tha se qëndrimet e zotit Romney veçanërisht në çështjet tregtare, “janë të gabuara”.

“Për ata që nuk kanë shumë njohuri mbi politikën e jashtme ky fjalim ndoshta duket mjaft i mirë, por unë mendoj se është i mbushur me gjëra të përgjithshme dhe pa substancë. Idetë si arritja e paqes përmes qartësisë, forcës dhe vendosmërisë nuk janë ide të politikës së jashtme”.

Analistët thonë se nuk është e qartë nëse fjalimi i zotit Romney mbi politikën e jashtme do të ndihmojë fushatën e tij politike në një kohë kur ekonomia amerikane është çështja kryesore.

Zoti Romney ka përfituar nga paraqitja e dobët e Presidentit Obama në debatin presidencial të javës së kaluar. Sondazhet tregojnë se zoti Romney ka ngushtuar epërsinë e zotit Obama në shkallë kombëtare dhe në shtetet kyçe.
XS
SM
MD
LG