Lidhje

Robonauti, roboti austronaut i NASA-s

  • Suzanne Presto

Robonaut 2 është roboti i parë i ngjashëm me njeriun që shkon në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës

Agjencia Amerikane e Hapësirës dërgoi një robot të ngjashëm me njeriun në një vend ku asnjë robot i tillë nuk kishte shkuar më parë. Të shohim të rejat më të fundit në lidhje me robotin e ri austronaut të NASA-s, të quajtur robonaut.

Ilustrimi filmik i NASA-s tregon atë që shkencëtarët e cilësojnë si e ardhmja e eksplorimit të hapësirës... robotët humanoidë duke punuar krah për krah me njerëzit.
Agjencia Amerikane e Hapësirës ka hedhur një hap tjetër drejt realizimit të atij objektivi.
Ky është Robonaut 2, roboti i parë i ngjashëm me njeriun që shkon në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Robonaut 2, për të cilin përdoret edhe emri R2, ka qenë në stacion qysh vitin e kaluar. Por është dashur kohë për të kontrolluar sensorët dhe sistemet e tij. Skuadrat e mirëmbajtjes dhe austronautët në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës e kanë parë me kujdes robotin R2 dhe janë shumë entuziastë për këtë anëtar të veçantë të ekuipazhit.

Gjithsej ekzistojnë katër Robonautë, por vetëm R2-shi është në hapësirë. Ne filmuam një prej “vëllezërve” të tij, kur ai vizitoi muzeun Smithsonian të Ajrit dhe Hapësirës, këtu në Uashington.

Ron Diftler, administrator i NASA-s, thotë se inxhinierët përgatitën Robonautët duke patur ndër mend marrëdhëniet mes njerëzve.

“‘Më falni!’ Duhet siguruar që marrëdhënia të jetë e mirë, si në rastin kur një njeri përplaset me një tjetër.”

NASA dhe kompania General Motors punuan së bashku për krijimin e Robonautëve. Ai mund të kryejë veprime në mënyrë të pavarur... ose nëpërmjet telekomandimit, thotë Mike Goza, një nga inxhinierët e Robonautëve.

“Këtu vihet një kaskë. Në të ka dy ekrane që i përkasin syrit të majtë dhe të dhjathtë të kameras, pra unë shoh atë që sheh roboti.”

Robonauti është në gjendje të imitojë veprimet e inxhinierit duke ndjekur komandat e sensorëve në kaskën dhe dorezat e tij.

“Praktikisht shndërrohet në një marionetë të madhe.”

Duart e Robonautëve janë të ngjashme me ato të njerëzve, prandaj ato mund të mbajnë objekte ashtu si njerëzit.

Kjo është e rëndësishme pasi pjesët që kanë nevojë për riparime në hapësirë dhe mjetet për të kryer këto riparime janë krijuar duke patur ndërmend duart e njerëzve.

Zoti Goza thotë se Robonautët mund të pakësojnë kohën që austronautët kalojnë jashtë anijes, në mjedisin e rrezikshëm të hapësirës.

“Ajo që duam të jemi në gjendje të bëjmë është që, ndërsa austronautët flenë, ne - pra Robonautët - të shkojmë jashtë dhe të përgatisim vendin e punës për ta, në mënyrë që kur austronautët të shkojnë jashtë anijes, në hapësirë, të mund të kryejnë më tepër punë.”

Inxhinierët parashikojnë gjithashtu që Robonautët të kryejnë shërbime mirëmbajtjeje të zakonshme brenda anijes së hapësirës. Robonauti nuk është roboti i parë i NASA-s në hapësirë. Kuratorja e koleksionit të fluturimeve në hapësirë e Muzeut të Ajrit dhe Hapësirës, Valerie Neal, përmend robotët Rover në planetin Mars.

“Robotët kanë eksploruar planetet për një kohë të gjatë, por ata nuk dukeshin si njerëz dhe nuk vepronin si njerëz. Lidhur me këtë robot është i jashtëzakonshëm fakti që ai i ka të dyja: edhe ngjan edhe vepron si njeri, madje një njeri në gjëndje të mirë fizike.”

Robonautët një ditë mund të jenë gati të eksplorojnë hapësirën, por për momentin NASA është ende duke vlerësuar potencialet e këtij prototipi roboti astronaut.


XS
SM
MD
LG