Lidhje

Rosenstein konfirmohet si Zv/Prokuror i Përgjithshëm


Senati amerikane konfirmoi 52 vjeçarin Rod Rosenstein, një prokuror karriere, për postin e zëvendës prokurorit të përgjithshëm, duke e vënë praktikisht në krye të hetimeve për ndërhyrjen kiberentike të Rusisë.

Kandidatura e zotit Rosenstein u konfirmua të martën me 94 vota pro dhe 6 kundër. Të gjashtë senatorët që votuan kundër zotit Rosenstein, ishin demokratë.

Si numri dy i Departamentit të Drejtësisë, zoti Rosenstein do të drejtojë operacionet e përditshme të agjencisë dhe do të mbikqyrë hetimet e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane. Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions muajin e fundit u tërhoq nga hetimet, pas njoftimeve për kontakte me ambasadorin rus në Uashington, të cilat nuk i kishte bërë të njohura më parë.

Gjatë seancës për konfirmimin e tij në Komisionin Juridik të Senatit muajin e kaluar, zoti Rosenstein i anashkaloi pyetjet nëse edhe ai duhej të tërhiqej nga hetimet për ndërhyrjen e Rusisë, në favor të një prokurori të posaçëm.


"Thjesht nuk më takon t’i përgjigjem një pyetjeje të tillë”, tha ai.

Por udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer tha të hënën se Rosenstein kishte rënë dakord të emëronte një prokuror të posaçëm për të drejtuar hetimet nëse do të ishte e nevojshme një gjë e tillë.

“Përsa i takon hetimit nga ana e qeverisë të lidhjeve mes fushatës së zotit Trump dhe Rusisë, zoti Rosenstein më premtoi se do të caktonte një prokuror të posaçëm nëse është e nevojshme”, tha zoti Schumer në sallën e senatit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG