Lidhje

Presidenti iranian viziton Francën


Presidenti iranian Hassan Rouhani tha se Irani është i gatshëm të "hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet" me Francën, ndërkohë që udhëheqësit e të dy vendeve nënshkruan marrëveshje në shëndetësi, bujqësi dhe në fushën e mjedisit, pas heqjes së sanksioneve ndërkombëtare ndaj programit të tij bërthamor.

Presidenti iranian u takua mbrëmë me Presidentin e Francës François Hollande në Pallatin Elysee.

Gjatë qëndrimit në Paris, udhëheqësi iranian ra dakord për të blerë 118 aeroplanë udhëtarësh Airbus, për të modernizuar flotën e vjetëruar të Iranit. Vlera e marrëveshjes arrin në 25 miliardë dollarë.

Zyrtarët francezë thonë gjithashtu se u miratua një marrëveshje që i hap rrugën një sipërmarrjeje të përbashkët mes prodhuesit francez të makinave Peugeot Citroen dhe firmës iranian Khodro.

Aktivistët e pritën udhëheqësin iranian me protesta, sidomos për ekzekutimet në Iran. Një grua e zhveshur imitoi varjen nga një urë e Parisit, me një flamur iranian të pikturuar në gjoksin e saj.

Në një banderolë të madhe mbi urë shkruhej: Mirësevjen Rouhani, ekzekutues i lirisë.

Një zëdhënëse e organizatës Femen tha se e kishin organizuar protestën si kujtesë për faktin se çdo vit, më shumë se 800 njerëz dënohen me vdekje në Iran.

Vizita e Rouhanit në Francë është e para e një presidenti iranian që nga viti 1999.

XS
SM
MD
LG