Lidhje

“Rrëfim nga Ferri Komunist”, pushkatimi i poetëve në një libër


“Rrëfim nga Ferri Komunist”, pushkatimi i poetëve në një libër

“Rrëfim nga Ferri Komunist”, pushkatimi i poetëve në një libër

Ndriçimi i krimeve të diktaturës komuniste nuk është një punë e lehtë në Shqipëri. Bedri Blloshmi kërkoi mbi 10 vjet në arkivat e shtetit shqiptar për të mësuar të vërtetën se si u dënuan me vdekje ai dhe dy poetët e njohur Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Ai thotë se, “sipas dokumentave shtetërore, pushkatimi i tyre ishte paracaktuar në një mbledhje të Komitetit të Partisë, ku merrnin Hysni Kapo dhe Sotir Koçollari, shumë kohë para se të zhvillohej gjyqi”. Bedriu sapo ka botuar librin dokumentar “Rrëfime nga Ferri Komunist”, ku botohen për herë të parë gjithë dosjet e Sigurimit famëkeq të Shtetit mbi ndjekjen, dhe pushkatimin e dy poetëve Blloshmi dhe Leka. Në të janë zbardhur të gjithë pseudonimet e informatorëve që përndiqnin dy poetët e rinj, të cilët ishin djem të familjeve tradicionalisht patriotike antifashiste dhe antikomuniste. Ai thotë se qysh në burg e kishte vendosur që një ditë do të ndriçonte të vërtetën e vrasjes së dy poetëve, si dhe pse regjimi komunist e shkatërroi familjen Blloshmi.

Në fillim të viteve 90 ai gjeti eshtrat e tyre që pas pushkatimit u hodhën në një përrua, dhe menjëherë kërkoi dokumenta të panumërta, por vështirësia për t’i nxjerrë ato ishte shumë e madhe. Megjithatë ai thotë se “kjo është nismë personale për vëllain, por nga ana tjetër, për mijëra të dënuar të tjerë është bërë shumë pak gjatë 20 vjetëve për zbardhjen dhe dënimin e krimeve të diktaturës”. Bedriu thotë se askush nuk interesohet për ta; të burgosurit politikë janë një shtresë që po sëmuren dhe po largohen nga jeta pa e marrë ende një mirënjohje dhe respekt nga shoqëria shqiptare, së pari moralisht për rezistencën që i bënë komunizmit. Ndërsa dëmshpërblimet financiare për burgun e padrejtë janë gjithnjë të vonuara dhe të paplota.

Vilsoni dhe Genci ishin dy mësues që regjimi i çoi të punonin njëri në minierë, tjetri në bujqësi, dhe më vonë i pushkatoi për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor, për disa poezi dhe shkrime letrare që nuk u botuan asnjëherë gjatë komunizmit. Disa shkrimtarë të regjimit mbështetën akuzat me akt-ekspertime letrare, ku thanë se poezitë e tyre “Saharaja”, “Oxhaku” dhe ndonjë tjetër nënkuptonin mospëlqimet e tyre ndaj komunizmit. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka janë dekoruar nga presidenti i Shqipërisë me tituj nderi dhe në qytetin e Librazhdit është ngritur një monument që nderon kujtimin e tyre.

XS
SM
MD
LG