Lidhje

Rregullat e përdorimit të marihuanës pas legalizimit në Kolorado

  • Brian Padden

Kur legalizoi këtë vit përdorimin e marihuanës edhe për qëllime jomjekësore, shteti i Kolorados vendosi gjithashtu edhe kufizime dhe rregulla më të rrepta për këtë drogë, krahasuar me ato për duhanin dhe alkoolin.


Amendamenti 64, ligji i Kolorados që legalizoi shitjen dhe blerjen e marihuanës për përdorim personal, është një arritje e rëndësishme.
Ai krijon për herë të parë një strukturë të gjerë rregullash për këtë industri dhe vendos kufizime të rrepta për përdorimin e marihuanës.

Rregullat mbështeten në tre parime kryesore, thotë Barbara Brohl, drejtore ekzekutive e Departamentit të Kolorados për të Ardhurat.

“Ne duam që të mos bjerë në duart e fëmijëve, të mos bjerë në duart e kriminelëve dhe atyre që nuk duhet ta kenë, për shembull njerëz nga shtete të tjera. Pra ne nuk duam që të dalë jashtë Kolorados”.

Koloradoja u kërkon kultivuesve të marihuanës që të regjistrohen dhe t’u vënë një markë elektronike të gjitha bimëve, për t’u siguruar që marihuana prodhohet ligjërisht. Dhe të gjitha produktet duhet të kontrollohen për fuqinë e drogës dhe nëse kanë myk, apo pesticide.

Dyqanet ku shitet marihuana duhet të kontrollojnë dokumentat e identifikimit për t’u siguruar që blerësit janë 21 vjeç e lart. Përdorimi i marihuanës nuk lejohet në vendet ku shitet, ose vende publike. Prandaj vizitorët nuk mund të gjejnë bare me marihuana apo klube me kanabis të hapura për publikun.

Togeri Matt Murray i Departamentit të Policisë së Denverit thotë se oficerët ende arrestojnë persona që i japin makinës nën influencën e drogës, por nuk është më aq e thjeshtë sa më parë.

“Më parë, kur ndjeje erën e marihuanës kur ndaloje dikë me makinë, kjo përbënte një dyshim të arsyeshëm për të konsideruar mundësinë e kontrollit. Por tani nuk mundemi dhe puna jonë bëhet më e vështirë”.

Ligji përcakton se intoksikim nga marihuana kur zbulon në gjak pesë nanogramë e lart THC, elementi aktiv i marihuanës. Por avokatët e marihuanës thonë se ndryshe nga alkooli, THC mund të mbetet në gjak për javë të tëra.

Zyrtarët e aeroportit të Denverit, thonë se nuk ka nevojë për masa shtesë sigurie për të kontrolluar pasagjerët që mund të përpiqen të nxjerrin marihuanën jashtë Kolorados. Por policia ka njoftuar për rritjen e sasisë së marihuanës që del nga shteti nga toka.

“Shtetet përreth nesh po përballen me problemin e sasisë masive të marihuanës që del nga shteti, sepse ajo që kushton në Kolorado 1 mijë e 500 dollarë, e ka çmimin 5 mijë ose 7 mijë dollarë në Nju Jork”.

Togeri Murray thotë se rregulloret dhe konfiskimi nuk mund të frenojnë të gjitha aktivitetet e paligjshme, por shton se deri sot nuk ka pasur ndonjë rritje ose pakësim të konsiderueshëm të kriminalitetit që kur u legalizua marihuana.
XS
SM
MD
LG