Lidhje

Reshjet rëndojnë trafikun në verilindje të Shqipërisë


Albania mud slide
Albania mud slide

Moti i keq, me rreshje bore dhe shiu, ka përfshirë sot të gjithë zonën verilindore të Shqipërisë duke krijuar probleme, sidomos për lëvizjen e automjeteve.

Më të prekura janë komunat malore në qarqet Kukës dhe Dibër, ku trashësia e dëborës arriti në 10 centimetër.

Bora ka krijuar vështirësi për lëvizjen e automjeteve dhe udhëtarëve edhe në Rrugën e Kombit, që lidh Shqipërinë me Kosovën. Gjatë paradites së sotme, në disa segmente të kësaj rruge ka patur bllokime të përkohëshme, deri në shbllokimin e tyre nga borëpastrueset.

Por, situata ka qenë më e rënduar në segmentin, nga tuneli deri në qytetin e Kukësit. Për shkak të rreshjeve të shiut dhe borës, ka patur rrëshqitje masive dheu dhe shkëmbijsh në afërsi të fshatit Kolsh, rreth 7 kilometra nga qyteti i Kukësit.

Dherat dhe shkëmbijtë kanë bllokuar njërën korsi të rrugës automobilistike, duke detyruar policinë rrugore të devijojë lëvizjen e automjeteve në krahun tjetër.

Autoriteti kombetar i rrugëve njoftoi se ka marrë masa për menaxhimin e trafikut dhe pastrimin e rrugës nga masivi shkëmbor. Kjo është shkarja e dytë masive brenda një jave në rrugën e Kombit.

XS
SM
MD
LG