Lidhje

Rreshteri Bergdahl në trajtim mjekësor


Zyrtarët amerikanë morën në mbrojtje vendimin e tyre për shkëmbimin e një ushtari amerikan tashmë të liruar nga talebanët me pesë të burgosur që mbaheshin në Guantanamo.

Por ata që kanë shërbyer përkrah rreshterit Bowe Bergdahl thonë se ai e braktisi vetë pozicionin e tij, pasi ishte i zhgënjyer nga lufta.

Anëtarë të personelit ushtarak që e njihnin Bergdahlin, i cili u zhduk afro pesë vjet më parë në moshën 23 vjeçare, thonë se ndërsa po kryente shërbimin si roje, ai braktisi armët dhe u largua nga pozicioni. Disa thonë se ai duhet të përgjigjet për veprimet e tij.

Zyrtarët e ushtrisë po konfirmojnë se Bergdahl u largua nga njësia me vullnetin e tij, por shtojnë se nuk e dinë se përse.


RRESHTERI NDODHET NË LANDSTUHL TË GJERMANISË PËR VLERËSIM MJEKSOR

Ushtari amerikan që u mbajt peng në Afganistan për gati pesë vjet, u dërgua në një spital ushtarak amerikan në Landstuhl të Gjermanisë. Mjekët do të vlerësojnë gjendjen e tij për t'i dhënë kurën e nevojshme. Ata thonë se do ta vazhdojnë trajtimin e tij mjekësor me ritmet që i përshtaten gjendjes së tij.

Prindërit e reshterit Bergdahl, Bob dhe Jani, i dhanë disa këshilla të birit gjatë një konference shtypi në shtetin Idaho, ku banojnë.

"Shumë njerëz janë mobilizuar të të ndihmojnë për një shërim të plotë. Ki besim tek ata, jepi vetes gjithë kohën që të duhet për t'u shëruar. Mos u nxito, jetën e ke përpara. Ne vazhdojmë të lutemi për ty çdo minutë dhe falenderojmë Zotin që tani je në liri," tha zonja Bergdahl.

"Ne po flasim kështu, sepse nuk kemi folur ende me djalin tonë. Nuk kemi folur në telefon, edhe pse ju e dini se ne mund ta kishim bërë këtë. Nuk e kemi bërë për shkak se Bowe ka qenë largt për një kohë të gjatë dhe do të jetë shumë vështirë që ta marrë veten. Është si një zhytës që ka qenë thellë në ujë dhe i duhet kohë të mbushet me ajër," tha i ati i rreshterit të liruar.

Talebanët në Afganistan e liruan reshterin Bergdahl të shtunën si pjesë e një shkëmbimi robërish. Ai u shkëmbye me pesë ekstremistë që mbaheshin në burgun ushtarak në Guantanamo të Kubës. Të pestë u dërguan në Katar, i cili shërbeu si ndërmjetës në negociatat.

Republikanët e opozitës, duke përfshirë senatorin John McCain, thanë se janë të kënaqur për lirimin e rreshterit Bergdahl, por kritikojnë administratën Obama për ato që sipas tyre ishin negociata me terroristët.

''Unë mendoj se gjëja më e rëndësishme këtu është se çfarë do të ndodhë me këta pesë individë. Në qoftë se ata hyjnë përsëri në luftë, kjo do të vinte në rrezik jetë amerikanësh dhe askush prej nesh nuk do që kjo të ndodhë, as Sekretari Hagel apo dikush tjetër. Por në qoftë se pas një viti në Katar ata janë në gjendje të bëjnë ç'të duan, nuk ka dyshim se ata do të rihyjnë në luftë. Të tjerë që janë liruar nga Guantanamo kanë rihyrë në luftë në të kaluarën," tha senatori McCain.

Republikanët akuzojnë gjithashtu administratën se ka shkelur ligjin për të njoftuar Kongresin kur negociohet një shkëmbim të burgosurish.

Por Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel tha se Kongresi nuk mund të informohej, sepse zyrtarët shqetësoheshin se kjo do ta vinte në rrezik jetën e rreshterit. Ai tha se SHBA kanë detyrimin për t'i sjellë trupat në atdhe nga fusha e betejës.

Talebanët e kapën rreshterin Bergdahl pesë vjet më parë në rrethana që ende nuk janë të qarta.
XS
SM
MD
LG