Lidhje

Rreziku i radioaktivitetit për japonezët dhe më tej

  • Zëri Amerikës

Rreziku i radioaktivitetit për japonezët dhe më tej

Rreziku i radioaktivitetit për japonezët dhe më tej

Sa të rrezikuar janë japonezët tani që tërmetit dhe cunamit të së premtes u janë shtuar edhe problemet me uzinat bërthamore të paralizuara? Një eksperte britanike që është marrë me çështjen e Çernobilit thotë se dëmet mund të jenë minimale nëse merren disa masa të thjeshta. Gjithashtu, sipas profesores së biologjisë molekulare, Xheri Tomas, në një masë të madhe, përhapja e rrezatimit bërthamor do të varet nga drejtimi i erës gjatë ditëve në vazhdim.

Bota po vëzhgon me tronditje atë që po ndodh në Japoni. Më 14 mars ajo që të gjithë i trembeshin u bë realitet.

Shpërthimi dhe zjarri në depon e shufrave bërthamore të reaktorit numër 4 në uzinën Dai-ichi të Fukushimës, u bënë shkak që radioaktiviteti të përhapej në atmosferë mbi brigjet verilindore të Japonisë.

Rreth 70 mijë njerëz ishin evakuuar tashmë nga kompleksi Dai – Ichi në një rreze prej 12 kilometrash.
140-mijë të tjerë vazhdojnë të jenë brenda rrezes së rrezikut, në distancë më pak se 30 kilometra nga uzina.
Njerëzve u është kërkuar të qëndrojnë brenda dhe të veshin maska për të mos thithur pluhurin radioaktiv.
Pas shuarjes së zjarrit të së martës, zyrtarët japonezë thanë se rreziku nuk është larguar. Ata po bëjnë thirrje për qetësi por këto zhvillime kanë ngjallur një panik në rritje si dhe një pasiguri për atë që mund të ndodhë më tej.

Skenari më i keq do të ishte nëse një ose më shumë nga bërthamat e reaktorit shkrihet plotësisht sepse kjo do të bënte që në atmosferë të përhapej një sasi e madhe rrezatimi bërthamor.
Profesorja britanike e biologjisë molekulare, Xheri Tomas, është marrë prej shumë vitesh me hetimin e pasojave të katastrofës së Çernobilit më 26 prill 1986. Ajo thotë se përsa i përket rreziqeve për popullsinë, gjithçka do të varet shumë nga drejtimi që do të marrë era gjatë ditëve në vazhdim.

Xheri Tomas, është marrë me studimin e pasojave të Çernobilit.

"Ajo që do të luajë rol të madh në rast se në atmosferë përhapet më tepër rrezatim bërthamor do të jetë drejtimi i rrymave të erës. Me sa di, tani për tani erërat po fryjnë drejt oqeanit dhe kjo do ta kufizojë ekspozimin e njerëzve ndaj rrezatimit. Nëse drejtimi i erës ndryshon, atëherë ekspozimi do të jetë i madh dhe kjo duhet të na shqetësojë”.

Sigurisht, gjithçka do të varet nga aktiviteti i mëtejshëm sizmik dhe nga aftësia e vendit për ta vënë uzinën bërthamore nën kontroll. Në Japoni ka patur një numër pasgoditjesh pas tërmetit të madh të së premtes.
Në Koriyama, qyteti më i madh i Prefekturës Fukushima, rreth 48 kilometra larg uzinës bërthamore të paralizuar, njerëzit janë vënë në radhë për të bërë kontrollin e rrezatimit.

Zonja Sato ka ardhur nga qyteti Iwaki për t’u testuar. Iwaki ndodhet në jug të uzinës, fare pranë zonës ekskluzive.

"Nëse më testojnë, atëherë do të jem e lehtësuar,” thotë ajo.

Kanceri i tiroideve është kërcënimi më i madh nga rrezatimi. Në fakt, edhe një shkrirje e bërthamës së reaktorit jo domosdo nënkupton një katastrofë shëndetësore. Gjithçka varet nga sasia dhe lloji i materialit bërthamor që shkakton rrezatimin.

Profesore Xheri Tomas thotë se nivelet e tanishme të rrezatimit nuk përbëjnë shumë rrezik:

"Shpërthimi i fundit në uzinë me sa duket ka çliruar më tepër rrezatim se sa mendohej dhe ne nuk e dimë se çfarë doze kanë marrë njerëzit që kanë qenë afër uzinës. Por rrezatimi ka një veti, që ndikimi i tij tek njerëzit pakësohet ndjeshëm në varësi nga largësia në të cilët ata ndodhen. Edhe me disa qindra metra ndryshim në distancë , ndryshimi në dozën që merr njeriu është mjaft i ndjeshëm.”

Ajo thotë se gjëja më e mirë do të ishte që njerëzit të qendrojnë sa më larg uzinës.

"Atje ku mundësia për të marrë rrezatim është më e vogël, njerëzit thjesht mund të këshillohen të qëndrojnë brenda, t’i mbajnë dritaret të mbyllura, mos i thajnë rrobat jashtë që ato të mos marrin rrezatim. Këtë autoritetet e kanë bërë. Gjithashtu, njerëzve duhet t’u jepet jod për tiroidet, kjo është shumë e rëndësishme”.

Qeveria japoneze po shpërndan aktualisht tableta jodi tek popullata brenda zonës së rrezikut. Ndërkohë, mijëra njerëz po përpiqen të largohen nga zona e rrezikuar ndërsa të tjerë po grumbullojnë furnizime për rastin më të keq, pra nëse bërthama e reaktorit shkrihet.

XS
SM
MD
LG