Lidhje

Rrëzohet avioni rus në Siberi, 31 të vdekur

  • Zëri Amerikës

Zyrtarët rusë të emergjencës thonë se të paktën 31 vetë humbën jetën kur një aeroplan pasagjerësh u rrëzua dhe shpërtheu në flakë menjëherë pas ngritjes në një rajon naftëmbajtës të Siberisë. 12 persona shpëtuan.

Nga avioni i rrëzuar u nxorrën trembëdhjetë të mbijetuar, por më vonë një person vdiq. Zyrtarët i thanë medias shtetërore ruse se të paktën pesë vetë mbeten në gjendje kritike. Në bord ndodheshin tridhjetë e nëntë pasagjerë dhe një ekuipazh prej katër vetash.

Avioni i tipit ATR-72, me dy motorë me helika, që operohet nga kompania UTair, u rrëzua rreth 35 kilometra nga qyteti Tyumen i Siberisë perëndimore kur po nisej për në qytetin Surgut. Shkaku i rrëzimit nuk dihet.

Zëdhënësja e ministrisë për situatat emergjente, Irina Andrianova, tha se të mbijetuarit u dërgua me helikopter në një spital të Tyumenit.

"Sot në mëngjes, në orën 5:40 morëm një telefonatë nga dispeçeri i aeroportit Roschino dhe na u tha se 35 kilometra në perëndim të aeroportit është rrëzuar një avion gjatë ngritjes. Aeroplani ishte nisur për në Surgut."

Industria ruse e aviacionit është prekur nga aksidente të përsëritura që lidhen me vjetërimin e avionëve të saj. Ajo ende operon avionë Tupolev të periudhës sovjetike që kanë një histori aksidentesh të shumta.

Por ekspertë të industrisë flasin edhe për një numër problemesh të tjera, si trajnimi i dobët i ekuipazhit, dëmtimet e aeroporteve, kontrollet e buta të qeverisë dhe neglizhimi i sigurisë për hir të fitimit

XS
SM
MD
LG