Lidhje

Rritet ndikimi turk në arenën ndërkombëtare

  • Zëri Amerikës

Rritet ndikimi turk në arenën ndërkombëtare

Rritet ndikimi turk në arenën ndërkombëtare

Turqia dhe Irani ndajnë 500 kilometra kufi mes tyre; kanë një shkëmbim tregëtar vjetor prej 7,5 miliardë dollarësh dhe çdo vit Turqia vizitohet nga një milion iranianë.

Por prillin e kaluar, kur presidenti turk Abdullah Gul drejtoi një forum mbi Afganistanin me homologët e tij afganë dhe pakistanez, Irani ishte mes pak vendeve pjesëmarrëse që nuk dërgoi një përfaqësues në nivel presidencial.

Elliot Hen-Tov, një studiues i marrëdhënieve turko-iraniane mendon se e di arsyen.

"Irani nuk është shumë rehat me Turqinë. Nuk do të jetë asnjëherë."

Hen-Tov thotë se udhëheqësit iranianë janë në mëdyshje – bile ziliqarë që një vend që ishte i pasur sa gjysma e Iranit 30 vjet më parë, kur ndodhi revolucioni islamik është sot dy herë më i begatë.

"Të shohësh një fqinj që ishte pas teje, një vend autoritar i pazhvilluar të dalë si një model, si një vend udhëheqës, është e padurueshme. Kjo deri diku ndikon në marrëdhëniet politike. Pranimi i udhëheqjes turke është një hap shumë i largët."

Gjatë viteve të fundit, dinamika politike mes Ankarasë dhe Teheranit ka ndryshuar mjaft.

Sot, Turqia është një forcë e rëndësishme ekonomike dhe politike në Lindjen e Mesme. Ajo është ekonomia e 16 më e madhe e botës dhe Irani sheh nga Ankaraja për bashkëpunim dhe përfitime ekonomike.

Turqia ka ndërmjetësuar në konfliktin izraelito-sirian; luajti rol në ribashkimin politik në Liban dhe po përpiqet të sjellë së bashku udhëheqësit e Sirisë dhe Arabisë Saudite.

Por duke ndjekur strategjinë e tanishme në politikën e jashme, Turqia po merr gjithashtu rolin që ka luajtur Irani si mbrojtës i botës myslimane.

Kohët e fundit, Ankaraja njoftoi se është e vendosur të zhvillojë një zonë industriale në territoret palestineze megjithë kundërshtimin e Izraelit.

Sulmi izraelit i muajit të kaluar mbi flotiljen e ndihmave për në Gaza ndihmoi në kristalizimin e rolit të Turqisë si mbrojtësja e re e çështjes palestineze.

"Ky rol si mbrojtësi i të shtypurit në rajon dhe më gjerë, ky ka qënë rol që Irani e përmbushi vetëm pjesërisht në të kaluarën. Irani mund ta ketë parë veten si udhëheqës në termat e Revolucionit por ishte në fakt thjesht produkti më i mirë në treg. Tani Turqia paraqet një alternativë më të mirë."

Irani mund të ketë ndjenja të përziera rreth ngritjes së Turqisë por Ankaraja është e vendosur në qëllimin e saj për të parandaluar mundësinë e veprimeve ushtarake mbi programin bërthamor të fqinjit të saj.

Ky interes i përbashkët mes Ankarasë dhe Teheranit mund të jetë lidhja më e fortë mes dy fqinjëve.

Zyrtarët turq ishin në Uashington muajin e kaluar për të mbrojtur votën kundër të qeverisë së tyre në raundin e fundit të sanksioneve të OKB-së kundër Teheranit. Namik Tan është ambasadori i Turqisë në Shtetet e Bashkuara.

"Do të jetë Turqia ajo që do të goditet më rëndë nga sanksionet ose përdorimi i forcës. Në se na jepet kjo barrë atëherë duhet të na jepet edhe mundësia të angazhohemi në dialog efektiv me Iranin. Ne jemi shumë pranë Iranit, jo 10 mijë kilometra larg sa i keni ju fqinjët në këtë vend të mrekullueshëm."

Përveç zilisë që udhëheqësit iranianë mund të ndjejnë ndaj influencës në rritje në rajon të Turqisë, Teherani vazhdon ta shohë Turqinë si një forcë përgjithësisht pozitive.

Irani, në fund të fundit, është prodhuesi i dytë më i madh i gazit natyror pas Rusisë. Dhe Turqia është si një zonë mbrojtëse ndaj kufirit të Iranit nga fuqitë perendimore të Natos dhe deri diku ndaj Izraelit. Por analistë si Hen-Tov thonë se nëse influenca e Ankarasë ndaj botës myslimane errëson plotësisht praninë e Teheranit në rajon, fitorja e Turqisë mund të shndërrohet në humbje për Iranin.

XS
SM
MD
LG