Lidhje

Rritet niveli i krimeve me bazë urrejtjen


FBI njoftoi sot se krimet me bazë urrejtjen ndaj minoriteteve u rritën 7 përqind në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar, ku incidente që kishin në shënjestër myslimanët u rritën me 67 përqind.

Sipas të dhënave të fundit të FBI-së, krimet e urrejtjes u rritën në 5,850 nga 5,479 që ishin një vit më parë. Ndërsa, krimet e urrejtjes kundër myslimanëve u rritën në 257 nga 154 raste që ishin në vitin 2014.

Veprimet e motivuara nga paragjykimet ndaj myslimanëve përbënin 4.4 përqind të të gjitha krimeve të urrejtjes në vitin 2015 dhe 21 përqind të krimeve të motivuara nga feja.

Krimet me motiv urrejtjen kundër myslimanëve arritën në nivelin më të lartë që nga periudha e sulmeve terroriste të shtatorit 2001. Kjo është shifra e dytë më e lartë, që kur FBI filloi mbledhjen e të dhënave mbi krimet e urrejtjes në vitin 1992.

Rritja e nivelit të krimeve të urrejtjes ndaj myslimanëve ka vazhduar në vitin 2016. Aktivisët myslimanë dhe ekspertët thonë se rritja e nivelit të islamofobisë, reagimi ndaj sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë dhe zemërimi politik gjatë zgjedhjeve të debatueshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar në rritjen e krimeve bazuar tek urrejtja ndaj myslimanëve.

"Veprimet hakmarrëse ndaj përshkallëzimit të sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara dhe Francë, niveli i lartë dhe përhapja e paragjykimeve kundër myslimanëve, si dhe integrimi i tyre në qarqet politiko-sociale janë nxitësit kryesorë të rritjes së konsiderueshme të këtyre krimeve të urrejtjes", thotë Brian Levin, drejtor i Qendrës për Studimin e urrejtjes dhe ekstremizmit në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë, në San Bernardino.

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, retorika e të cilit gjatë fushatës presidenciale u fajësua gjerësisht për shtimin e islamofobisë dhe krimit të urrejtjes kundër myslimane gjatë vitit të kaluar, u bëri thirrje mbështetësve të tij në një intervistë që dha të dielën, që të ndalonin ngacmimin e pakicave.

"Unë jam shumë i trishtuar për këtë," tha zoti Trump në intervistën për programin "60 minuta" të kanalit televiziv CBS. "Dhe unë them: "Mjaft!". E them edhe para kamerave, nëse kjo do të ndihmonte në këtë drejtim,"Mjaft!".

FBI e përkufizon krimin me motiv urrejtjen si një vepër penale të motivuar në tërësi ose pjesërisht nga statusi aktual apo i atij të perceptuar të një grupi ndaj një grupi tjetër, si raca, përkatësia etnike, feja, aftësitë e kufizuara, orientimi seksual, gjinia dhe identiteti gjinor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG