Lidhje

Rriten tensionet ndërmjet Hollandës dhe Turqisë


demonstruesit turq në Rotterdam
demonstruesit turq në Rotterdam

Hollanda e kritikoi si të papërgjegjshme një ministre turke që u përpoq të vizitonte vendin pasi i ishte thënë se nuk ishte e mirëpritur. Zyrtarët hollandezë i konsideruan gjithashtu të papranueshme sulmet verbale nga autoritetet turke, ndërsa po rëndohet më tej marrëdhënia me Ankaranë. Dje, Kryeministri turk Yildrim premtoi se Turqia do të kundërpërgjigjej në mënyrën më të ashpër, ndërkohë që autoritetet turke bllokuan godinën e ambasadës hollandeze në Ankara dhe deklaruan se ambasadori i Hollandës nuk është i mirëpritur në vend.

Ministrja turke për Çështjet e Familjes, Fatma Betul Kaya, u dëbua dje nga Hollanda dhe kthye mbrapsht në Gjermani nga policia hollandeze që i ndaloi asaj mbajtjen e një fjalimi në një tubim në Rotterdam, ku më pas shpërthyen protestat përpara konsullatës së Turqisë.

“Hollanda po mundohet të rrisë tensionin me myslimanët dhe me komunitetin turk në Evropë, duke ndaluar ministren tonë. Kjo nuk do të jetë në të mirë të Hollandës, e gjithë popullsia e së cilës është sa gjysma e popullsisë së Stambollit”, thotë protestuesi turk Ibrahim Besen.

Kryetari i bashkisë së Rotterdam-it konfirmoi se policia hollandeze po shoqëronte ministren drejt kufirit gjerman.

“Si ta mendoj? Ky është tashmë një turp për Evropën. Një turp i madh. Ky është momenti që demokracia ra në nivelin më të ulët. Është e papranueshme që një ministre turke, apo çfarëdo ministre, të trajtohet në këtë mënyrë”, thotë protestuesi turk Murat Saglam.

Qeveria hollandeze tha se i kishte komunikuar Turqisë se nuk do të lëshonte pe për rendin dhe sigurinë publike.

Pas pas mesnatës, policia filloi të largonte me forcë protestuesit nga zona e konsullatës. Forca speciale këmbësore dhe në kuaj e shtynë turmën.

Vetëm një ditë më parë, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu ishte ndaluar të hynte në Hollandë, ndërsa po shtohet kundërshtia ndaj fushatës për referendumin që Turqia po zhvillon në mbarë Bashkimin Evropian.

Politikanët hollandezë nga i gjithë spektri politik kanë shprehur mbështetje për vendimin e Kryeministrit Mark Rutte për të mos lejuar këto vizita.

Për shkak të turbullirës që kanë ngjallur, disa vende anëtare të BE-së janë kundër vizitave të ministrave turq për t’u bërë thirrje bashkëkombasve të tyre të votojnë në referendumin që do të ndryshojë kushtetutën e Turqisë. Megjithatë, Franca nuk krijoi pengesa ndaj Ministrit të Jashtëm turk Cavusoglu, i cili mbërriti atje për të mbajtur një fjalim në një tubim në qytetin Metz.

Ankaraja synon të rrisë mbështetjen në radhët e miliona turqve që jetojnë dhe punojnë në Evropë, për t’i dhënë më shumë pushtet Presidentit Recep Tayyip Erdogan, i cili ka gjasa të përfitojë edhe qëndrimin në post deri në vitin 2029.

XS
SM
MD
LG