Lidhje

Rritet zemërimi i kurdëve të Turqisë


Luftëtarë kurdë dhe militantët e Shtetit Islamik po zhvillojnë beteja të ashpra për kontrollin e qytetit kufitar Kobani, i njohur gjithashtu si Ayn al-Arab.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani thotë se të paktën 27 militantë dhe 19 kurdë janë vrarë të dielën dhe të hënën, duke përfshirë një luftëtare kurde e cila hodhi veten në erë duke vrarë disa kryengritës.

Një flamur i zi i Shtetit Islamik dje mund të shihej në një ndërtesë të qytetit Kobani nga ana tjetër e kufirit në Turqi.
Por një udhëheqës i luftëtarëve kurd thotë se luftëtarët e tij do të rezistojnë deri në fund. Ai tha se në qoftë se Shteti Islamik pushton Kobanin, qyteti do të bëhet një varrezë.
Luftimet kanë detyruar largimin e mijëra civilëve në drejtim të Turqisë.

Zemërimi i kurdëve të Turqisë po shtohet, lidhur me gjendjen e rëndë në qytetin kufitar sirian Kobani, të rrethuar prej disa javësh nga xhihadistët. Kurdët e Turqisë thonë se Ankaraja duhet të ndërhyjë për të shpëtuar qytetin dhe paralajmërojnë për rigjallërimin e kryengritjes kurde brenda Turqisë, në se Kobani bie në duart e xhihadistëve.

Ata kanë ardhur nga qytete kurde nga e gjithë Turqia për të shprehur solidaritet me kurdët e Sirisë, që kanë dy javë që luftojnë për të parandaluar militantët e grupit Shteti Islamik të mos e marrin kontrollin e qytetit kufitar të Kobanit.

Përgjatë kufirit prej 20-kilometrash, në fshatrat e vogla dhe mes ndërtesave të vogla të braktisura, ata shohin luftimet që zhvillohen në Kobani. Kurdët e Turqisë dridhen kur dëgjojnë zhurmën e predhave të tankeve dhe uturimën e mortajave. Ata tregojnë shtëllungën e madhe të tymit dhe shprehin zemërim për hezitimin për të ndërhyrë nga Turqia dhe Perëndimi, për të shpëtuar qytetin, ku ka patur njoftime për masakra.

Dhe ata paralajmërojnë se procesi i paqes që po i jep fund kryengritjes 30-vjeçare kurde brenda Turqisë do të rrezikohet, në se xhihadistët marrin kontrollin e Kobanit.

Kyretari kurd i Bashkisë së qytetit Batman, Sabri Ozdemir, është mes qindra kurdëve që kanë zbritur në kufi.

Ai thotë se në se Kobani bie, atëhere ka për të rënë edhe Turqia, që do të thotë, se procesi i lëkundur i paqes do të marrë fund nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK.

Kryetari i bashkisë përsërit paralajmërimin e javës së kaluar të udhëheqësit të burgosur të partisë të ndaluar me ligj PKK, Abdullah Ocalan, nga qelia e burgut ku ai ndodhet. Një kryengritje e re kurde brenda Turqisë do t'i shtonte fatkeqësitë e rajonit.

Xhihadistët e Shtetit Islamik, kanë tanke dhe armatime moderne, të cilat i kanë marrë nga forcat irakiane, më të sofistikuara se kurdët e Kobanit.

Shumica e civilëve janë larguar nga qyteti, duke lënë atje vetëm luftëtarët dhe të moshuarit.

Përveç kërkesës së popullsisë kurde brenda vendit, Turqia druhet se mos përfshihet edhe vetë në luftën civile të Sirisë, në se ndërhyn për të mbrojtur kurdët e Kobanit.

Xhihadistët e Shtetit Islamik janë vetëm disa minuta larg nga qendra e Kobanit.

32-vjeçari Shefqeti thotë se ai i ka parë luftimet nga kufiri.

Sewketi thotë se avionët luftarakë amerikanë i kanë fluturuar mbi kokë dy herë ditët e fundit dhe në të dyja rastet kanë hedhur tre raketa pranë Kobanit.

Burimet kurde të mbrojtes i thanë Zërit të Amerikës se sulmet ajrore bënë që xhihadistët të tërhiqen rreth një kilometër. Por ata thonë se që Kobani të mos bjerë në duart e xhihadistëve, duhen sulme të tjera.

Megjithë rrezikun e kthimit në Kobani dhe përpjekjet e ushtrisë turke për t'i ndaluar ato, disa luftëtarë kurdë po kthehen në Siri, pasi kanë nxjerrë familjet e tyre, për t'iu bashkuar 180,000 kurdëve sirianë, që kanë shkuar në Turqi.

30-vjeçari Roniya thotë se duhet të kthehet mbrapsht, sepse e ka marrë malli për shtëpinë dhe nuk ka rëndësi në se ai jeton, apo vdes.

XS
SM
MD
LG