Lidhje

Rritja e nivelit të detit kërcënon shtetet ishuj

  • Peter Fedynsky

Rritja e nivelit të detit kërcënon shtetet ishuj

Rritja e nivelit të detit kërcënon shtetet ishuj

Ç’ndodh me sovranitetin e një vendi kur ai fundoset nën Oqean? Kjo është një nga pikëpyetjet me të cilat përballen shumë nga shtetet-ishuj, që aktualisht kërcënohen nga rritja e nivelit të detit.

Ekspertë ligjorë, diplomatë dhe të tjerë patën kohët e fundit debate të ashpra lidhur me këtë çështje në Fakultetin Juridik të Universitetit Kolumbia në Nju Jork.

Dekadat e fundit niveli i detit është rritur çdo vit me disa milimetra por tani rrezikon të rritet me centimetra, madje edhe më tepër.

Dhe kjo mund të çojë në përmbytjen e ishujve-shtete. Konferenca që u mbajt këto ditë në Universitetin Kolumbia me temë ”Konferenca e vendeve të rrezikuara” shqyrtoi ndërlikimet ligjore që kanë ndryshimet klimatike globale dhe rritja e nivelit të detit.

Ekspertët e klimës, pjesëmarrës në konferencë, ishin të një mendimi se sovraniteti i një vendi nënkupton të drejtat e qytetarëve, statusin diplomatik, pronësinë e pasurive minerale dhe privilegje të tjera të një shteti.

Por Rosemary Rayfuse, profesore e juridikut në Universitetin New South Wales të Australisë tha se disa çështje janë të vështira për t’u trajtuar:

"Ne kemi rregulla për krijimin e shteteve për të cilat folëm më parë, por ne nuk kemi rregulla rreth shteteve, të cilat mund të zhduken fizikisht nga faqja e Tokës."

Pra, në se një ishull-shtet fundoset në Oqean, a e ruan më ai anëtarësinë në Kombet e Bashkuara? Kush përgjigjet për qytetarët e tij? A do të udhëtojnë ata me pasaportën e tyre? Kush merr përsipër dhe zbaton të drejtat për ruajtjen e mineraleve dhe peshkimit rreth një vendi të fundosur?

Ligji ndërkombëtar aktualisht nuk jep përgjigje për këto pyetje.

Ambasadori i Ishujve Marshalls në Kombet e Bashkuara Philip Muller tha se nuk sheh ndonjë urgjencë për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve, por as për të trajtuar shkaqet e ndryshimeve klimatike, për të cilat shumë njerëz besojnë se kanë çuar në rritjen e nivelit të Oqeaneve.

"Edhe në se ne arrijmë një marrëveshje ligjore së shpejti, që unë nuk besoj se do të ndodhë, aktorët kryesorë nuk janë përfshirë në këtë proces." - thotë ai

Këta aktorë, thanë pjesëmarrësit, përfshijnë vende industriale, si Shtetet e Bashkuara dhe Kina, të cilat çlirojnë më tepër dioksid karboni se gjithë vendet e tjera, pra gaze që shihen si shkaktarë të ngrohjes globale.

Mary Elena Carr e Insitutit të Tokës në Universitetin Kolumbia, tha se rritja e tanishme e nivelit të detit me disa milimetra do të shtohet së tepërmi deri në vitin 2100.

Arsyeja, thotë ajo, janë gazet e çliruara nga efekti serrë që e mbajnë ajrin e nxehtë lart në atmosferë. Temperatura më të larta globale mund të shkaktojnë shkrirjen e akullnajave dhe rritjen e nivelit të detit. Dhe kjo mund të sjellë fundosjen e shumë ishujve-shtete.

Jenny Grote Stoutenburg, studjuese e ligjit në Universitetin Kolumbia, thotë se është e vështirë të provosh se cilët janë shkaktarët e ndryshmeve klimatike:

"Edhe në se nuk mund të përcaktohet një detyrim ligjor për vazhdimin e njohjes së shteteve të tilla, vendet e ndryshme duhet të pranojnë përgjegjësinë morale për përdorimin jo-proporcional të atmosferës pra të vazhdojnë t’i njohin ishujt shtete për hir të drejtësisë dhe solidaritetit kombëtar."

Ambasadori i Ishujve të Kepit të Gjelbër në OKB, Antonio Lima, paralajmëron se në se popujt e vendeve të mëdha nuk i ndihmojnë banorët e ishujve të vegjël, ata do ta dënojnë veten me të njëjtin fat.

Në të vërtetë, shkencëtarët parashikojnë se për shkak të rritjes së nivelit të detit, banorët e vendeve të mëdha bregdetare, do të ndeshen me të njëjtin problem të përmbytjes si shtetet e vegjël ishuj.

Konferenca në Universitetin Kolumbia nuk ju përgjigj pyetjes që ngriti. Por ajo shtroi një sfidë morale për komunitetin ndërkombëtar, që ai të marrë masa për t’i mbrojtur vendet-ishuj nga fundosja. Siç shprehet ambasadori Lima, qytetërim njerëzor do të thotë solidaritet e jo braktisje e të tjerëve në mëshirën e fatit. Dhe koha nuk pret për të shmangur një fat të tillë.

XS
SM
MD
LG