Lidhje

Rritja ekonomike e Turqisë dhe sfidat e saj


Rritja ekonomike e Turqisë dhe sfidat e saj
Rritja ekonomike e Turqisë dhe sfidat e saj

Për herë të parë në historinë e saj moderne, Turqia jo vetëm se i ka rezistuar një krize ekonomike globale, por edhe mjedisit të pjesës tjetër të Evropës duke u fuqizuar ekonomikisht në vitin 2010. Ekonomia e Turqisë po lulëzon, por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Stamboll Dorian Jones, qeveria duhet të trajtojë disa çështje urgjente.

Kur erdhi në pushtet për herë të parë në vitin 2002, Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit ose AKP, u ballafaqua me një krizë të madhe financiare. Për ta rimëkëmbur ekonominë e Turqisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar mbështeti një program ekonomik për këtë vend të cilin e ndoqi për afërsisht 10 vjet, duke e transformuar Turqinë në një ekonomi të fuqishme. Tani, me partinë AKP përsëri në pushtet, përparësitë e qeverisë së re do të jenë zbatimi i politikave për trajtimin e sfidave të reja ekonomike me të cilat po përballet vendi.

Janë ngritur shqetësime, se me rritjen ekonomike vjetore me 9 përqind, ka të ngjarë që ekonomia të përballet me vështirësi, si fillimin e rritjes së inflacionit. Shqetësim tjetër përbën rritja e defiçiti, i cili tani është pranë 8 përqindshit të prodhimit të brendshëm bruto. Emre Ygit është ekonomist i lartë i bankës së investimeve “Global Securities” me seli në Stamboll. Ai thotë se ndërkohë që defiçiti i tanishëm nuk është aq shqetësues, ai rrezikon të dalë jashtë kontrollit.

“Turqia duhet të marrë hua me një vlerë prej jo më pak se 10 miliardë dollarë në muaj. Kjo është dëshmi e fuqisë së ekonomisë turke dhe besimit të njerëzve në të, si jashtë, ashtu edhe brenda vendit. Ky fakt ka qenë pak a shumë i njejtë për shumë vite dhe duket se askush nuk po i kushton vëmendjen e duhur. Por eventualisht njerëzit do ta kthejnë vëmendjen drejt tij”.

Tregjet globale finaciare e kanë shtuar presionin ndaj Bankës Qendrore të Turqisë për të rritur normat e interesit, me synimin për kufizimin e kërkesave të konsumatorëve turq për importe. Por Banka Qendore ka frikë se kjo mund të rezultojë në një injektim më të madh të parave në ekonomi, duke e rritur vlerën e monedhës turke, lirës dhe shtimin e kërkesave për import.

Kjo qasje po krijon shqetësime për tregjet, veçanërisht me atë që po ndodh aktualisht në Greqi. Inan Demir, krye-ekonomist në bankën Finance Bank, thotë se ndoshta Turqisë po i kalon afati për marrjen e këtyre masave.

“Unë jam i prirur të besoj se gjërat do të shkojnë pozitivisht, por duke patur parasysh se tregjet ndërkombëtare-në këtë periudhë po ndeshen me rreziqe të paparashikuara-mendoj se nuk duhte vonuar me marrjen e masave të nevojshme”.

Problemet me të cilat po ndeshet ekonomia turke nxjerrin në pah edhe problemet strukturore që duhet të trajtohen. Cengiz Aktar është analist politik në Universitetin Bahcesehir.

“Kjo nuk është një situatë e qëndrueshme. Ekonomia ka nevojë për para kesh nga jashtë. Kursimet e Turqisë janë në nivelin zero. Ajo ka nevojë për investime të huaja direkte. Duhet të importojë për të qenë e aftë të eksportojë. Kam frikë se nëse nuk merren vendime thelbësore në aspektin makro-ekonomik, ky zinxhir i lumturisë aktuale mund të shkëputet”.

Në bazë të standarteve perëndimore, shumë pjesë të Turqisë mbeten të varfëra. Shumica e Anatolias, rajoni rural lindor, nuk ka asnjë ngjashmëri me pjesët e zhvilluara të Stambollit dhe bregut perëndimor të vendit. Megjithatë, rritja ekonomike e Turqisë ka sjellë më afër se kurrë më parë perspektivën e një të ardhmeje të këtij vendi mes shteteve të botës së zhvilluar. Pyetja shtrohet se për sa kohë do të vazhdojë kjo rritje ekonomike e Turqisë?

XS
SM
MD
LG