Lidhje

Rritje të reja çmimesh në tregun shqiptar


Rritje të reja çmimesh në tregun shqiptar
Rritje të reja çmimesh në tregun shqiptar

Ne Tirane Instituti i Statistikave njoftoi kete muaj rritje cmimesh te ushqimeve ne tregje dhe tek mallrat e konsumit te perditshem. INSTAT deklaroi se rritjet e cmimeve jane kryesisht ne grupin e ushqimeve, veshjeve dhe shkollimit. Vezhguesit e pavarur te ekonomise kane shprehur shqetesim per mungesen e nje studimi per minimumin jetik ne Shqiperi, qe do te orientonte me mire edhe perpjekjet kunder varferise. Rritjet e pagave dhe pensioneve jane te pafuqishme perballe tregjeve jashte kontrollit.

Instituti i Statistikave raportoi se çmimet në tregje po rriten më tej në prag të dimrit, duke e vështirësuar përballimin e jetesës nga buxhetet familjare. Nga matja e fundit deri në fillim të muajit, doli se indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me 0,4 për qind më shumë se një muaj më parë. Indeksi mujor për çmimet e ushqimeve u rrit 1 për qind. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe e çmimeve, gati 7 për qind, ndodhi pikërisht me frutat e stinës, përfshi edhe pataten; çmimi i specit dhe patëllxhanit u rrit 30 për qind, çmimi i domates dhe sallatës u rrit rreth 20 për qind, ndërsa çmimi i kastravecave u rrit rreth 8 për qind. Po ashtu çmimi i portokallit u rrit 8 për qind krahasuar me një muaj më parë, ndërsa ulje ka vetëm në çmimin i kivit, limonit dhe mollës.

Sipas Institutit të Statistikave, muajin e fundit u rritën 1 për qind edhe çmimet e qumështit, bulmetit dhe vezëve, sheqeri u rrit 2,2 për qind, uji mineral 0,3 për qind, kafja 0,4 për qind. Për veshmbathjet po ashtu çmimet u rritën 0,3 për qind, veshjet e fëmijëve janë rritur 0,4 për qind. Indeksi mujor i çmimeve për ujë, qera e drita u rrit me 0,1 për qind, ku peshën kryesore e zënë drutë e zjarrit, çmimi i të cilave u rrit mbi 2 për qind. Çmimet e ilaçeve u rritën 0,3 për qind po ashtu. INSTAT thotë se këtë muaj u rrit 1,4 për qind edhe çmimi i shkollimit, dhe pagesat për nevojat e studentëve u rritën 3,4 për qind.

Raportimi më i fundit i INSTAT vërteton shqetësimet e qytetarëve se jetesa e përditëshme po vështirësohet nga çmimet e tregut, jashtë çdo kontrolli të inspektorëve, për të shmangur së paku abuzimet e spekullantëve. Ekspertë të pavarur të ekonomisë kanë ngritur shpesh shqetësimin se Shqipëria ende nuk ka publikuar ndonjë studim mbi nivelin e jetesës, dhe të vendosë një kufi zyrtar të minimumit jetik, i cili do të nxirrte shkallën e varfërisë së banorëve. Analistët besojnë se varfëria në Shqipëri është 3 herë më e lartë se në Europë, ndonëse autoritetet ende nuk deklaruar se sa është minimumi jetik.

Nga matje të pavarura vlerësohet jozyrtarisht se minimumi jetik në Shqipëri është rreth 100 euro, ose 150 dollarë amerikanë. Studiuesit e ekonomisë pohojnë se rritjet e pagave dhe pensioneve që bën qeveria janë të pandjeshme përballë çmimeve të tregut. Pagat dhe pensionet rriten periodikisht, por varfëria nuk ulet, dhe shumë familje jetojnë me 35-40 dollarë në muaj. Papunësia, nga të njëjtat burime të besueshme, vlerësohet se është 2-3 herë më e lartë se shifrat zyrtare dhe varfëria është shtrirë gjerësisht në familjet fshatare, që janë gjysma e popullsisë. Qeveria ka deklaruar se regjistrimi i popullsisë dhe banesave, që sapo u krye, do të jetë një studim i mirë për të parë hartën e varfërisë në Shqipëri dhe për të shëruar plagët e saj.

XS
SM
MD
LG