Lidhje

Imzot Rrok Mirdita: Politikanët të venë interesat e vendit mbi të gjitha

  • Ilir Ikonomi

Imzot Rrok Mirdita: Politikanët të venë interesat e vendit mbi të gjitha

Imzot Rrok Mirdita: Politikanët të venë interesat e vendit mbi të gjitha

Kreu i komunitetit katolik të Shqipërisë, Rrok Mirdita i tha Zërit të Amerikës se është e nevojshme që politikanët të venë interesat e vendit mbi të gjitha. Interesat e tjera, duhet t’u nënshtrohen këtyre. Imzot Mirdita komentoi në Kishën Zoja e Shkodrës, në Hartsdale të Nju Jorkut, ku u bë paraqitja e librit të tij të ri “Për një Shqipëri me Zotin”.

Imzot Rrok Mirdita, Kryeipeshkv i Tiranës dhe i Durrësit, është njeri i lidhur ngushtë me komunitetin katolik të Nju Jorkut ku ka shërbyer për shumë vite në të kaluarën.

Kisha e madhe në Hartsdale është plot në meshën e kësaj të diele. Nuk është thjesht kurioziteti për të parë mikun e vjetër të komunitetit por është dëshira për të dëgjuar mesazhet që ai sjell nga bota shqiptare e përtej Atlantikut. Besimi atje është përtërirë por hallet janë ende të shumta.

Pas meshës, në Kishë bëhet paraqitja e librit të Imzot Mirditës. Titullohet “Për një Shqipëri me Zotin”. Është voluminoz por edhe pse shumë faqe ato duket se janë pak për të përfshirë të gjitha ulje-ngritjet e rilindjes së Shqipërisë që tashmë ka përqafuar Zotin.

"Ne të gjithë e duam Shqipërinë por duhet të pyesim veten se çfarë Shqipërie dëshirojmë," thotë studiuesi shqiptaro-amerikan Sami Repishti.

Një Shqipëri me Zotin, përgjigjet Imzot Mirdita, në librin e tij, sepse një Shqipëri pa Zot e kemi parë, e kemi jetuar dhe e kemi luftuar.

"Asnjëri nga ne nuk është përgjegjës për krimet komuniste në Shqipëri. Por të gjithë ne do të jemi përgjegjës po të lejojmë përsëritjen e këtyre krimeve," thotë zoti Repishti.

Imzot Mirdita beson se në periudhën e tanishme kur mirëqënia është në rritje, është e nevojshme të frenohet joshja për gjërat materiale:

Në këtë periudhë të demokracisë dhe të përmirësimit të gjendjes ekonomike-shoqërore, të lirisë së tregut, shpesh herë ka tentime që njerëzit të harrojnë atë çka i ka munguar për shumë vite, jo me vullnetin e tyre por me imponim, Zotin. Duhen kultivuar ato vlera që nuk plaken asnjëherë dhe që janë të domosdoshme për të patur figurën e njeriut të plotë, pra jo të lënduar, jo atë pjesën vetëm materiale dhe jo vetëm ethet për të grumbulluar sa më shpejt në përpjekje për të kompensuar atë që ka munguar për vite me radhë. Gjithçka duhet të shihet nën prizmin e asaj që është e përjetështme.

Imzot Mirdita vjen nga Shqipëria ku kohët e fundit jeta politike është tronditur përsëri nga mosmarrëveshjet mes kampeve politike:

Unë mendoj se është e nevojshme që politikanët të venë në radhë të parë interesat e vendit mbi të gjitha. Interesat e tjera, qofshin individuale ose partiake t’i nënshtrohen këtyre. Përsa i përket pikave kryesore, thelbësore dhe të rëndësishme, si çështjet e kombit, qoftë integrimi në strukturat evropiane apo të tjera, të gjendet gjuha e përbashkët. Për çështje të tjera që janë të diskutueshme, në shpirtin e demokracisë e të respektit reciprok, siç veprohet në Amerikë, e cila mbetet model për të gjithë, të gjendet gjuha e kuptimit e marrëveshjes.

Edhe pse është njeri i fesë, Imzot Mirdita nuk ngurron të shprehë mendime për politikanët dhe jetën politike të vendit.

Ne i shikojmë gjërat në prizmin jo vetëm të tokësores dhe të interesave të momentit por në një prizëm të përjetshmërisë që sigurisht politikanëve mund t’u mungojë.

I pyetur mbi projektligjin e qeverisë shqiptare për legalizimin e martesave mes homoseksualëve, Imzot Mirdita e kundërshton kategorikisht një pikëpamje të tillë:

Martesa nuk është thjeshtë një kontratë mes dy njerëzve që janë të lirë ta shkatërrojnë kur të duan dhe pastaj t’i venë disa norma të tjera që asnjëherë nuk kanë ekzistuar në natyrën e brendshme të njeriut. Sepse Zoti e ka krijuar njeriun, ashtu siç e thotë qartë Bibla, burrë e grua.

Libri i Imzot Mirditës, veprimtaria e tij si klerik dhe ringjallja shpirtërore e shqiptarëve dy dekada pas rënies së komunizmit u diskutuan gjerësisht në këtë promovim që ishte më shumë se sa thjesht një takim mes besimtarësh.

XS
SM
MD
LG