Lidhje

Shqipëri: Konferencë për vizitën e Papës


Imzot Rrok Mirdita: “Nëpër tokën e korrupsionit dhe të padrejtësisë, nëpër detin e trazuar të shfrytëzimit e të mashtrimit, kisha i thotë jo kësaj rruge".

Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë zhvilloi sot në Muzeun Historik Kombëtar një konferencë shkencore me titull “Kisha Katolike dhe Shqiptarët presin Atin e Shenjtë”. Një seri veprimtarish po zhvillohen në Shqipëri pak ditë para se Tiranën ta vizitojë papa Francesku, një vizitë që po pritet me mjaft interesim nga qytetarët dhe besimtarët e shumtë.

Konferenca solli një histori të plotë të kishës katolike shqiptare në shekuj, katolikët shqiptarë në kohën e Venedikut, nw shekujt 15 e 16, qysh nga lidhjet e gjuhës shqipe me latinishten, si provë e krishterimit ndër shqiptarët. Studiuesit solën dëshmi të shumta të persekutimit të klerit katolik, marrëdhëniet e Vatikanit me shtetin shqiptar deri në pushtimin fashist 1939.

Arkipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita, ishte midis folësve kryesorë të konferencës, dhe trajtoi rilindjen e kishës katolike pas rënies së komunizmit. Ai tha se kisha e vërtetë është ajo që u rri pranë njerëzve të varfër. Imzot Rrok Miridta, tha se midis korrupsionit dhe jetës së ndershme njerëzit duhet të zgjedhin të dytën, me besim dhe siguri.

“Nëpër tokën e korrupsionit dhe të padrejtësisë, nëpër detin e trazuar të shfrytëzimit e të mashtrimit, kisha i thotë jo kësaj rruge dhe është e gatshme t'i shoqërojë shqiptarët në udhën më të gjatë e më të vështirë por të sigurtë drejt të mirës të arritur me ndershmëri. Ati i Shenjtë vjen për të na dhënë zemër në këtë udhë” - tha imzot Rrok Mirdita.

Ndërsa Ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro, foli mbi rëndësinë e vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri, për të ardhmen e vendit, duke marrë forcë nga historia shqiptare. “Duke zgjedhur Shqipërinë si stacionin e parë europian Ati i Shenjtë pohon se një vend nuk është i rëndësishëm nëse ndodhet në qendër ose në periferi, por bëhet i tillë kur di të tregojë se ka çfarë ndan me qytetërimin që e rrethon. Kjo vizitë, përveçse është një përgjigje e dashur e tij ndaj ftesës që i bëri kryeministri Rama, bëhet në shenjën e dialogut ndërfetar, të tolerancës dhe të bashkëjetesës, pa prekur diversitetin dhe respektin për tjetrin” - tha ministrja Kumbaro

Shkencëtarët pasqyruan edhe ndikimin e të krishterëve në letërsinë dhe artet shqipe, duke veçuar midis tyre figura të mëdha të letërsisë si at Gjergj Fishta, at Ndre Mjeda etj., të cilët krijuan vepra të njohura kombëtare, qysh nga alfabeti dhe deri tek poema kombëtare. Studiuesit po ashtu kujtuan edhe Papa Gjon palin e dytë dhe folën për një doktirnë sociale të tij, së bashku me ndikimn e madh që pati në botë gjatë drejtimit të Vatikanit.

Papa Francesku vjen të dielën në Shqipëri për një vizitë disaorëshe, ndërkohë vazhdojnë përgatitjet për një mikpritje sa më të mirë të tij, nga aeroporti dhe sheshi Nënë Tereza, ku ai do të udhëheqë meshën, dhe deri tek kopshti i fëmijëve me paaftësi, që ai do të vizitojë në një fshat të Krujës.

XS
SM
MD
LG