Lidhje

Imzot Rrok Mirdita shtrohet në spital


Arkipeshkvi i Dioqezës së Durrësit dhe Tiranës nga viti 1992, Imzot Rrok Mirdita, kaloi të premten një hemoragji cerebrale dhe mjekët e shtruan për të mbajtur gjendjen e tij nën kontroll në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Shëndeti i arkipeshkvit 76 vjeçar u përkeqësua papritur dhe ai gjendet në pavionin e neurokirurgjisë. Mjekët konfirmuan gjendjen e tij të rëndë, por konstante.

Shkëlqesia Rrok Mirdita është njoftuar vite më parë se pati probleme shëndetësore, të cilat i kaloi me sukses dhe vazhdoi me përkushtim detyrat e tij fetare.

Ai u vendos në krye të kishës katolike shqiptare në fillim të viteve 1990 pas shumë vite shërbimi në SHBA pranë bashkësive shqiptare.

Papa Gjon Pali i Dytë, gjatë vizitës në Shqipëri në vitin 1993 e shuguroi Imzot Rrokun ipeshkëv së bashku me ipeshkëv të tjerë.

Për shumë vite Imzot Rroku kryesoi konferencën ipeshkvnore të Shqipërisë dhe drejtoi rimëkëmbjen e besimit fetar kristian pas gjysmë shekulli diktaturë komuniste.

Ai organizoi besimtarët dhe ngriti katedralen e Shën Palit në Tiranë, kisha të reja dhe rindërtoi kishat historike të mbyllura dhe të dëmtuara nga regjimi komunist.

XS
SM
MD
LG