Lidhje

Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian


Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian
Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian

Në Shqipëri pritet që javën e ardhshme ministri i jashtëm italian Franco Frattini dhe ai grek Stavros Lambrinidis, të shkojnë në Tiranë, në një mision të përbashkët për t’i dhënë një shtysë procesit të integrimit europian të vendit. Misioni i tyre ështe i koordinuar me Bashkimin Europian dhe bashkë me ta gjatë takimeve do të jetë edhe ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi. Qëllimi i tyre është që t’i kujtojnë Shqipërisë detyrimet që ajo ka ndaj Brukselit dhe ta nxisin ate për përmbushjen e shpejtë të tyre, duke qenë se në muajin tetor Komisioni europian do të paraqesë opinionin e tij mbi kërkesën për statusin e vendit kandidat.

Ministri i jashtëm italian Franco Frattini dhe ai grek Stavros Lambrinidis, si përfaqësuesit e dy vendeve të Bashkimit europian që jo vetëm gjenden më afër Shqipërisë gjeografikisht, por dhe janë partnerët e saj kryesor europian, pritet të jenë në Tiranë më 12 shtator në një mision të përbashkët të koordinuar me Brukselin. Synimi është që të nxisin dialogun politik në vend dhe përshpejtimin e reformave të nevojshmë për pëparimin e vendit në procesin e integrimit. Fillimisht ishte menduar që Bashkimi europian të mund të përfaqësohej në këtë takim me komisionerin për zgjerimin Stefan Fyle apo drejtorin e përgjithshëm të Zgjerimit Stefano Sannino. Por për shkak të angazhimeve në Bruksel te dy funksionareve te larte, të dy ministrat e jashtëm do të shoqërohen gjatë takimeve të tyre në Tiranë nga ambasadori i deelegacionit të Bashkimit europian Ettore Sequi.

Treshja europiane pritet të ketë bisedime me Presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha e Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto si dhe me kreun e opozitës Edi Rama. Misioni në Tiranë vjen në një moment kur Shqipëria do të duhet të kalojë një tjetër provë të Brukselit. Në muajin tetor Komisioni europian pritet të publikojë raportin e tij të vlerësimit mbi ecurinë e vendit si dhe të japë opinionin mbi kërkesën për statusin e vendit kandidat. Një kërkesë e cila u refuzua vitin e shkuar. Dy ministrat e jashtëm pritet që t’i kujtojnë Shqipërisë rëndësinë e plotësimit të detyrimet që ajo ka ndaj Brukselit i cili ka identifikuar 12 prioritetetë cilat duhen zbatuar, dhe të kërkojnë që vendi të shfrytëzojë në maksimum kohën e mbetur. Prioritetet kryesore lidhen me kriteret politike ku përfshihen edhe zgjedhjet. Palëve në Shqipëri pritet që tu kërkohet një angazhim i shpejtë për plotësimin e rekomandimeve të misionit të vëzhguesve ndërkombëtar pas zgjedhjeve të 8 majit.

Edhe kreu i delegacionit për Ballkanin në parlamentin europian Eduard Kukan, një ditë më parë duke përshëndetur rikthimin e plotë të opozitës në parlament theksoi se “bashkëpunimi për miratimin e legjislacionit të kërkuar për integrimin europian dhe zbatimi i 12 prioriteteve kyce, përfshirë edhe një reformë zgjedhore efikase për të ardhmen, janë detyrat kryesore ku duhet të fokusohen partitë politike”.

Socialistët janë shprehur se do të angazhohen në mbështetje të plotë të procesit të inetgrimit dhe kanë kërkuar që në komisionet parlamentare të futen ligjet që kërkojnë miratim me tre të pestat, duke paralajmëruar megjithate, se do t’i votojnë ato vetëm nëse janë në përputhje me standartet e kërkuara “e jo vetëm sa për t’i hedhur hi syve Brukselit", tha kryetari socialist Edi Rama dy ditë më parë.

Koha e mbetur në dispozicion është mjaft e shkurtër. Këtë e pohoi dje edhe ministrja e integrimit Majlinda Bregu sipas të cilës është e vështirë që dëmet e shkaktuara nga dy vjet ngërci politik të zhbëhen brenda një muaji.

XS
SM
MD
LG