Lidhje

Rrugët në veri të Kosovës mbeten të bllokuara


Rrugët në veri të Kosovës mbeten të bllokuara

Rrugët në veri të Kosovës mbeten të bllokuara

Forcat paqeruajtëse të NATO-s hapën sot paradite vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinë, një nga dy vendkalimet e diskutueshme në veriun e Kosovës. Por, lëvizja e njerëzve dhe mallrave është e pamundur për shkak të barrikadave të vendosura nga protestuesit serbë të cilët kundërshtojnë vendosjen e policisë kufitare dhe doganave të Kosovës në veri.

Dje trupat amerikane të KFOR-it hoqën një barrikadë të vendosur nga protestuesit serbë në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinë. Më vonë protestuesit serbë ngritën një tjetër barrikadë, ndërsa paralajëmruan se nuk do të heqin dorë nga bllokimi i rrugëve, madje kanë refuzuar edhe thirrjet e Misionit të Kombeve të Bashkuara për të larguar barrikadat.

Të paktën 11 veta u plagosën të martën gjatë një përleshjeje ndërmjet forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe protestuesve serbë. Zyrtarë të KFOR-it thanë se u detyruan të përdorin forcën në vetëmbrojtje nga sulmet e protestuesve që hodhën mjete shpërthyese ndaj trupave të KFOR-it.

Beogradi ndërkaq kritikoi praninë ndërkombëtarë për nxitje të dhunës, ndërsa kërkoi nga Kombet e Bashkuara sqarimin e incidenteve. Që nga 16 shtatori rrugët e veriut janë bllokuar nga serbët që nuk pajtohen me vendosjen e institucioneve të Kosovës në atë zonë.

Zhvillimet në veri bënë që të anulohen edhe bisedimet e radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, meqë delegacioni serb nguli këmbë që që të diskutohet për gjendjen në veriun e Kosovë, një kërkesë kjo e cila është kundërshtuar nga Prishtina zyrtare dhe nuk është pranuar nga ndërmjetësuesit e bisedimeve.

Ndërmjetësuesit thanë se javën që po vjen do të bëjnë një përpjekje të re për rifillimin e bisedimeve të cilat do të trajtojnë, siç thuhet, çështjet që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe afrimin e të dyja palëve me Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG