Lidhje

Senatori republikan Rubio hyn në garën presidenciale


Senatori i Floridës Marco Rubio iu bashkua dje zyrtarisht garës presidenciale për zgjedhjet e 2016s. Zoti Rubio është republikani i tretë që shpall kandidaturën për Shtëpinë e Bardhë. Njoftimi i tij bëhet një ditë pasi demokratja Hillary Clinton filloi fushatën për të marrë emërimin e Partisë Demokrate, hera e dytë që ajo kandidon për presidente. Zonja Clinton ka shkuar sot në shtetin Iowa, për të testuar mbështetjen që ka atje. Senatori Marco Rubio:

"Bazuar në mësimet e historisë sonë, por i frymëzuar nga premtimi i së ardhmes, unë shpall kandidaturën time për president të Shteteve të Bashkuara!"

Marco Rubio shpalli kandidaturën e tij para një turme entuziaste në Miami të Floridës.

Ai tha se synon të ndihmojë për të sjellë një shekull të ri amerikan, duke hedhur kritika ndaj kandidates demokrate Hillari Klinton.

"Jo më larg se dje, një udhëheqëse nga koha e djeshme ka filluar një fushatë presidenciale me premtimin që të na kthejë tek e djeshmja. E djeshmja ka marrë fund."

Zoti Rubio e shpalli fushatën e tij në atë që quhet Freedom Tower, Kulla e Lirisë, e cila shërbente si qendër përpunimi për dhjetëra mijëra të internuar kubanë të cilët ikën nga shteti ishull në vitet 1960 dhe 1970.

Si bir emigrantësh kubanë, zoti Rubio është i aftë të tërheqë votuesit e rinj dhe pakicat, thotë strategu republikan Ford O'Connell.

"Ai ka mesazhin më bindës mes gjithë kandidatëve republikanë. Pyetja është se si e formulon ai këtë mesazh në mënyrë që votuesit të dinë se kush është ai dhe çfarë kërkon? Në një mënyrë ai përfaqëson ëndrrën amerikane ".

Rubio është shfaqur edhe si një kritik i ashpër i politikës së jashtme të presidentit Barak Obama dhe ka premtuar një drejtim të ri nëse zgjidhet vitin e ardhshëm.

"Në qoftë se Amerika edhe një herë pranon mantelin e udhëheqjes globale duke hequr dorë nga lëshimet e rrezikshme të kësaj administrate për Iranin dhe nga armiqësia ndaj Izraelit."

Kjo është një çështje që zoti Rubio përpiqet të theksojë, thotë analisti.

"Ai përpiqet ta bëjë këtë në interes të sigurisë kombëtare dhe politikës ushtarake sepse pikërisht me këtë po e reklamon ai veten, sidomos me përvojën e tij në Senat."

Zoti Rubio u bashkohet senatorëve të tjerë republikanë, Rand Paul dhe Ted Cruz në një kamp ku pritet të konkurojnë edhe shumë kandidatë të tjerë.

XS
SM
MD
LG