Lidhje

Punimi artizanal i qelqit në Rumani


Punimet artizanale të qelqit të bëra në Rumani janë të njohura në të gjithë botën për detajet e tyre dhe për bukurinë mbresëlënëse. Por artizanët e kësaj industrie shqetësohen se ky profesion po humbet, pasi nuk ka mjaftueshëm njerëz të rinj që merren me këtë veprimtari.

Qelqi i përpunuar në mënyrë artizanale në Rumani përdoret për dritaret e dyqaneve më të njohura të botës, duke përfshirë Neiman Marcus në SHBA, Harrods në Britani dhe supermarketin zviceran Globus.

Një grup prej dhjetë artizanësh xhami të punishtes Adrian Sistem në rrethinat e Bukureshtit thonë se janë krenarë që po vazhdojnë traditën rumune të punimit të qelqit me fryrje, e cila konsiderohet si një zeje në zhdukje.

Pronari i fabrikës, Petru Stefanescu, e ka përfunduar trajnimin e tij për punimin e qelqit në vitin 1960. Ai e hapi punishten në vitin 1992, me fillimin e kapitalizmit, kur fabrikat komuniste të Rumanisë u mbyllën.

Kërkesa për xhamin rumun është e madhe. Tetëdhjetë për qind e artikujve të përgatitura këtu eksportohen në vende të ndryshme të botës duke përfshirë Hong Kongun, Shtetet e Bashkuara, Meksikën, Britaninë dhe Francën, por zoti Stefanescu thotë se është e vështirë të tërheqësh brezin e ri në këtë artizanat.

"Ne përpiqemi të tërheqim të rinjtë duke u folur atyre mbi veten tonë dhe duke u treguar artikujt që krijojmë. Por shumë pak prej tyre shfaqin interes të bëjnë këtë punë. Të rinjtë sot nuk janë më të interesuar në zejtari. Rumania gjithashtu nuk ka ndonjë politikë që të nxisë të rinjtë drejt punës artizanale," thotë ai.

Tubat e qelqit importohen nga Gjermania dhe Republika Çeke. Pasi mbërrijnë në Rumani, ato shkrihen në një temperaturë 1 mijë e 600 gradë celcius dhe kthehen në llambadarë, objekte dekoruese, mbajtëse qirinjsh, gota dhe çajnikë.

Artizani veteran Stefan Hancu përpunon qelqin me fryrje prej 60 vjetësh. Ai thotë se një zejtar i mirë xhami duhet të ketë prekjen e një pianisti: të lehtë dhe të saktë.

"Ky është një artizanat shumë i mirë. Jo kushdo mund ta bëjë këtë punë. Mund ta bëjnë vetëm ata që e duan vërtetë këtë profesion. Duhet të mendosh se si do ta shkrishë xhamin dhe se si do ta presësh. Dhe këto janë gjëra që duhet të ndihen," thotë ai.

Projektuesja e objekteve të qelqit, Gabriela Stefanescu, thotë se prodhimet e tyre janë të njohura për disa arsye.

"Produktet tona çmohen shumë nga konsumatorët, sepse ato janë të prodhuara në mënyrë artizanale. Ne gjithmonë u themi se nuk përdorim asnjë lloj kallëpi dhe mjeshtrat tanë janë artizanë shumë të zotë," thotë ajo.

Edhe pse qelqi rumun është një produkt luksi, kriza ekonomike në Evropë nuk e ka goditur këtë industri. Vitin e kaluar të ardhurat e fabrikës Adrian Sistem ishin 400 mijë euro, nga të cilat 15 për qind ishte fitim.
XS
SM
MD
LG