Lidhje

Rusi, klima politike para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale


Rusi, klima politike para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale
Rusi, klima politike para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale

Gjatë 6 muajve të ardhshëm, në Rusi do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe më pas ato presidenciale. Në përgjithësi, rusët janë pesimistë rreth së ardhmes së vendit. Gjysma e rusëve mendojnë se korrupsioni në kohën e Putinit është përkeqësuar në krahasim me paraardhësin e tij, Boris Yeltsin.

Sistemi politik i kontrolluar me kujdes i Rusisë u trondit kur njëri prej njerzve më të pasur të vendit u tërhoq papritmas nga politika, duke bërë thirrje për shkarimin nga detyra të “mjeshtrit kukull” të Kremlinit. Mihail Prokorov nuk është një oligark i zakonshëm. Dy metra i gjatë dhe me një pasuri prej 18 miliardë dollarësh, ky beqar 46 vjeçar zotëron një numër pasurish me vlerë të madhe, mes tyre edhe ekipin e bejsbollit amerikan, New Jersey Nets.

Por Kremlini mendonte se mund ta mbante zotin Prokorov nën kontroll. Ndërsa partia në pushtet, Rusia e Bashkuar po humbiste popullaritetin, politikanët rusë e tërhoqën zotin Prokorov për ta vënë në krye të partisë Kauza e Drejtë. Kjo është një parti dytësore, e kontrolluar nga Kremlini për të tërhequr votuesit e pakënaqur në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit, duke mos paraqitur një kërcënim të vërtetë për partinë në pushtet, Rusia e Bashkuar. Përkundrazi zoti Prokorov tregoi se kishte plane të tjera. Ai pagoi për publimin e qindra reklamave rreth mesazhit të tij nacionalist popullor. Victor Davidoff është analist politik në Moskë.

“Prokorov demonstroi se ai është shumë i pavarur dhe nuk mund të kontrollohet. Madje pavarësia e tij në fakt është ajo që i frikëson njerëzit në pushtet dhe të gjithë konceptin e demokracisë së tyre të kontrolluar, që është zhvilluar nga Vladimir Putin gjatë 10 vjetëve të fundit.”

Miliarderi i fundit rus që hyri në politikë, Mihail Kordokovski, ndodhet tani në burg në Arktik, ku ka kryer gjysëm e dënimit prej 13 vjet burgim. Sergei Markov, deputet i partisë në pushtet, thotë se edhe zoti Prokorov ka shkelur rregullat.

Pa thënë se zoti Prokorov duhet të burgoset, zoti Markov e akuzon miliarderin se ka sjellë praktikat e biznesit të tij dhe paratë e tij në politikën ruse.

Që prej vitit 2000, kur Vladimir Putin erdhi në pushtet, rregullat në politikën ruse janë kufizuar gjithnjë e më shumë. Zoti Putin u dha fund zgjedhjeve të drejtpërdrejta për guvernator, senatorë dhe shumicën e bashkiakëve, e vuri televizionin nën kontrollin e Kremlinit, jashtëligjësoi të gjitha partitë politike, me përjashtim të 3 partive besnike të opozitës, jashtëligjësoi opsionin për të votuar kundër të gjithë kandidatëve dhe e uli në një votë pjesëmarrjen minimale për shpalljen e zgjedhjeve të vlefshme.

Në përgjithësi, rusët janë pesimistë rreth së ardhmes së vendit. Sipas një ankete opinioni, muajin e kaluar, 54 për qind e pjesëmarrësve thanë se zgjedhjet parlamentare të dhjetorit do të jenë artificiale. Sipas së njëjtës kompani anketimesh Levada, gjysma e studentëve dhe sipërmarrësve rusë duan të emigrojnë. Dhe gjysma e rusëve mendojnë se korrupsioni në kohën e Putinit është përkeqësuar në krahasim me paraardhësin e tij, Boris Yeltsin.

Në këtë mjedis politik, Kremlini nuk do që perëndimorët të vëzhgojnë “demokracinë e menaxhuar” të Rusisë, ndërkohë vazhdojnë negociatat lidhur me numrin e vëzhduesve evropianë, të cilëve do t’u jepet vizë për këtë qëllim. Zyrtarët rusë të zgjedhjeve kanë thënë se do të pranojnë në vend vetëm një të tretën e 260 vëzhguesve që Bashkimi Evropian dëshiron të dërgojë.

Pas zgjedhjeve parlamentare, rusët do të votojnë për presidentin marsin e ardhshëm. Herën e fundit, zoti Putin priti deri pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit 2007 për të njoftuar se i preferuari i tij, Dmitri Medvedev, do të ishte kandidati i partisë në pushtet.

“Partia në pushtet mund të punojë me secilin prej këtyre dy politikanëve”.

Por zoti Putin, tani kryeministër, konsiderohet gjerësisht si kandidati kryesor. Pasi partia në pushtet humbi 12 zgjedhje rajonale marsin e kaluar, zoti Putin formoi një grup ombrellë, i quajtur Fronti Popullor Gjithë-Rus, për të tërhequr votuesit e pavarur. Gjatë vitit të fundit, ai emëroi besnikë të tij në krye të dy qyteteve më të mëdha të Rusisë, Moskës dhe Shën Peterburgut.

Kohët e fundit ai ka dalë në televizion, duke u paraqitur sikur të jetë në fushatë. Për kontrast, Presidenti Medvedev duket se po zbehet. Para dy javësh, ai zhvilloi konferencën vjetore politike në Jaroslav. Asnjë prej ministrave të kabinetit të tij nuk ishte i pranishëm për fjalimin kryesor të presidentit.

Victor Davidoff thotë se ky fjalim nuk përmbante asnjë referencë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

“Ai nuk tha asnjë fjalë rreth këtyre zgjedhjeve. Duke pasur parasysh faktin se kanë mbetur vetëm 6 muaj nga këto zgjedhje, njerzit po i shikojnë me nervozizëm këto zgjedhje, sepse ata nuk e dinë se cilët do të jenë kandidatët”.

Gjthnjë e më shumë rusë mendojnë se me ardhjen e dhjetorit, zoti Putin do të njoftojë se kandidati presidencial do të jetë Vladimir Putin.

XS
SM
MD
LG