Lidhje

Prokurori kërkon 3 vjet kundër këngëtareve ruse


Prokurori në Moskë kërkoi që tre këngëtaret e një grupi rok të dënohen me tre vjet burg për këngën tallëse që kënduan në katedralen e Moskës kundër Presidentit Vladimir Putin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jessica Golloher njofton nga Moska.

Në argumentet përfundimtare në procesin gjyqësor, prokurori Alexei Nikiforov tha se 22 vjeçarja Nadezha Tolokonilkova, 24 vjeçarja Maria Alyokhnia dhe 29 vjeçarja Yekaterina Samutsevich kishin kryer mëkat kundër Zotit kur u ngjitën në altarin e katedrales për të kënduar një këngë që përmbante fjalë ofenduese.

Prokurori tha më tej se veprimet e këngëtareve të reja përbënin urrejtje fetare dhe se grupi muzikor kishte poshtëruar dhe ofenduar anëtarët e Kishës së fuqishme Ortodokse të Rusisë.

Anëtaret e grupit muzikor janë akuzuar për huliganizëm. Ato thonë se janë të pafajshme. Në se dënohen, ligji parashikon deri në 7 vjet burg.

Tre këngëtaret kanë kërkuar falje për ofendimin e Kishës, por thonë se ato thjesht po përpiqeshin të shprehnin opinionin e tyre kur iu drejtuan Maries së Shenjtë për të përcjellë mendimet e tyre për Presidentin Putin.

Avokati i grupit muzikor, Mark Feigin, thotë se pendesa e tyre nuk do të ketë ndikim për gjyqin, pasi ai beson se autoritetet ligjore kanë vendosur tashmë t’i shpallin ato fajtore. Ndonëse Presidenti Vladimir Putin ka bërë thirrje për mëshirë për rastin e tyre, avokati Feigin thotë se deklarata e zotit Putin nuk ka për të ndryshuar gjë.

“Gjykatësi mban anën e prokurorit. Klientët e mi mund të dënohen së shpejti dhe të dërgohen për të vuajtur dënimin. Deklarata e zotit Putin u bë për të ulur shqetësimet që kishte ngjallur ky rast”.

Gjyqi ndaj tri muzikanteve është dënuar në mbarë botën dhe po shihet si një rast-prove për tolerancën e zotit Putin ndaj kundërshtarëve në Rusi. Gjatë muajve të fundit ka patur protesta të gjera, nga më të mëdhatë që pas përmbysjes së Bashkimit Sovjetik, për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet presidenciale në fillim të vitit. Kritikët e presidentit Putin thonë se ai fitoi duke manipuluar votat dhe se ai qeveris duke e kontrolluar fortë sistemin politik që mbështetet tek korrupsioni për të arritur synimet e tij. Kremlini i mohon këto akuza.

Ndërsa koha e përfundimit të gjyqit po afron, vëmendja ndaj tij po shtohet gjithnjë e më shumë. Kerry McCarthy, anëtare e parlamentit britanik thotë se në Britani gjyqit po i kushtohet vëmendje e madhe.

“Shumë njerëz në Britani nuk i kushtuan rëndësi gjyqit deri tani. Ata e shikonin në televizor, por mendonin se ishte thjesht një shfaqje. Por tani vëmendja ndaj gjyqit po shtohet dhe njerëzit mendojnë se ai është një tregues i mirë i asaj që po ndodh në Rusi me të drejtat e njeriut, me protestat dhe se sa do t’i tolerojnë autoritetet ato”.

Vendimi i gjykatësit priotet të meret këtë javë dhe opozita ruse thotë se po planifikon të zhvillojë protesta.
XS
SM
MD
LG