Lidhje

Veprimet e Rusisë në Siri


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini tha se veprimet ushtarake të Rusisë në Siri janë një faktor që e ndryshojnë rrënjësisht lojën dhe që përmbajnë “element tepër shqetësues." Rusia është përballur me kritika nga perëndimi për fushatën e saj ajrore në Siri që ka si objektiv kundërshtarët e presidentit Bashar al-Assad.

Zonja Mogherini u tha gazetarëve përpara një takimi të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në Luksemburg se veprimet kundër militantëve të Shtetit Islamik duhet të kryhen qartësisht kundër këtij grupi dhe terroristëve të tjerë siç përcaktohen nga Kombet e Bashkuara.

"Veçanërisht kur bëhet fjalë për shkeljen e hapësirës ajrore të Turqisë. Gjithmonë kam thënë dhe besoj se ndërhyrjet kundër ISIS-it duhet të jenë qartësisht kundër ISIS-it dhe grupeve të tjera terroriste, siç është përcaktuar nga Kombet e Bashkuara. BE-ja, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe të gjithë ne kemi synimin e përbashkët që është rezoluta e Këshillit të Sigurimit dhe korniza e OKB-së të cilat duhen koordinuar, përndryshe kjo do të ishte me shumë rrezik, jo vetëm nga pikëpamja politike por edhe ushtarake," tha zonja Mogherini.

Rusia është përballur me kritika nga perëndimi për fushatën e saj ajrore në Siri që ka si objektiv kundërshtarët e presidentit Bashar al-Assad, një aleat i Rusisë, dhe jo kryengritësit e Shtetit Islamik siç ka deklaruar.

Në një intervistë me televizionin shtetëror rus, Presidenti Vladimir Putin mbrojti ndërhyrjen e Moskës në Siri.

"Kur mora vendimin për operacione aktive kundër grupeve terroriste ndërkombëtare pas sulmit në Dagestan, shumë njerëz më thanë:" kjo nuk duhet bërë, ajo nuk duhet bërë", dhe "asgjë nuk duhet bërë”, për shkak se ekziston rreziku se terroristët do të kundërpërgjigjen. Kështu mu krijua bindja se nëse kemi frikë, ata me siguri do të bëjnë diçka të keqe. Prandaj duhen marrë masa parandaluese. Rreziku ekziston, por pa hapa aktive rreziku në Siri do të ekzistojë gjithsesi. Pa luftë në Siri, njerëzit e armatosur me kallashnikovë do të vijnë shumë shpejt në territorin tonë. Megjithatë, nga larg ne mund ta ndihmojmë Assadin për të luftuar kundër tyre."

Rusia ndërmori dje bombardime të reja ajrore kundër kryengritësve sirianë, duke thënë se shumica e objektivave ishin në Tal Skik, zonë në provincën Idlib që ka qënë nën kontrollin e rebelëve.

Zonja Mogherini tha se procesi drejt gjetjes së një zgjidhjeje politike në Siri duhet të përfshijë të gjithë ata që kanë një rol në konflikt dhe në tranzicion, me një rezultat që do të përcaktohet kryesisht nga komuniteti ndërkombëtar, nga rajoni dhe nga vetë sirianët.

Dje, presidenti amerikan Barak Obama i tha televizionit CBS se, për sa kohë që Assadi të qëndrojë në pushtet, do të jetë shumë e vështirë të përqëndrohet vëmendja e rebelëve të moderuar tek ekstremistët.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG