Lidhje

Çështja Edward Snowden

  • JAMES BROOKE

Edward Snowden u vu në qendër të vëmendjes së publikut pas zbulimit të sekreteve të Administratës së Sigurimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara dhe më pas, arratisjes në Moskë.

Amerikani më i famshëm në Moskë, Edward Snowden, së shpejti mbush 6 muajt e qëndrimit të tij në Rusi. Deri tani, ai nuk ka patur takime ballë për ballë me gazetarë dhe as me publikun e zakonshëm.

Tre takimet që ai ka patur me persona të jashtëm janë inskenuar me kujdes. Janë bërë të njohura për publikun dy fotografi të tij të turbullta, ku ai duket jashtë një supermarketi dhe në një urë të Moskës.

Avokati i tij, Anatoly Kucherena, thotë se Snowden ka filluar një punë më 1 nëntor, por pa dhënë hollësi se ku. Kucherena është anëtar i bordit të FSB-së, agjencia kryesore ruse e zbulimit brenda vendit.

Andrei Soldatov, ekspert për agjencitë ruse të zbulimit, mendon se FSB kontrollon me kujdes jetën e Snowdenit në Rusi.

“Problemi është se kur rrethohesh vetëm nga njerëz të FSB-së, si Kucherena, bëhesh i varur tek informacioni që ata të japin."

Snowden fitoi strehim në Rusi në gusht, me kushtin që marrëdhëniet mes Moskës dhe Washingtonit të mos prisheshin. Ai nuk po jep konferenca shtypi në Moskë. Thotë se ja ka dhënë të gjitha dokumentet e vjedhura që kishte në kompjuter disa gazetarëve që parapëlqente, para se të arratisej drejt Rusisë në qershor.

Por Soldatov thotë se zbulimi i vazhdueshëm i informacioneve sekrete i tejkalon synimet e politikës së jashtme të Kremlinit.

“Kjo është një lojë shumë e zgjuar”.

Zbulimi i informacionit për përgjimet amerikane ka shkaktuar një çarje mes Washingtonit dhe Evropës, madje francezët dhe gjermanët kanë shprehur zemërim ndaj përgjimeve masive. Po ashtu përgjimet kanë ftohur marrëdhëniet me Meksikën dhe Brazilin, dy vendet më të fuqishme të Amerikës Latine.

Drejtori i Qendrës Carnegie në Moskë Dmitri Trenin thotë se udhëheqësit botërorë ose janë naivë lidhur me masën e përgjimeve, ose janë duke pretenduar se po protestojnë. Në vitet 1980, Trenin punonte me forcat ushtarake sovjetike në Gjermaninë Lindore, duke ndjekur me kujdes homologët e tij amerikanë.

“Sinqerisht, në botën ku jetojmë, moto është të përgjosh kundërshtarët, por njëkohësihst, të grumbullosh informacione zbulimi për aleatët. Kjo është një nga rregullat më të vjetra të lojës. Shtetet e Bashkuara ndodhen në Gjermani që nga viti 1945 dhe që nga ai vit, qeveria amerikane ka dashur të dijë se çfarë mendon qeveria gjermane."

Trenin dhe të tjerë thonë se shumë njerëz kanë harruar, ose nuk kanë ditur gjë për shtrirjen e grumbullimit të informacioneve të zbulimit.

“Unë personalisht do të zemërohesha shumë me qeverinë ruse, në se ajo nuk grumbullonte informacione për të gjitha vendet që lidhen me Rusinë".

Soldatov druhet se kryqëzata e Snowdenit me synim transparencën ka patur efekt të kundërt, duke fuqizuar vende autoritare si Rusia dhe Kina. Ato përpiqen t'i japin fund dhënies së informacionit të lirë në internet dhe për të ndërtuar mure kontrolli.

Duke folur për Snowdenin dhe bashkëpunëtorët e tij gazetarë, Soldatov thotë:

“Ata besojnë se të gjithë janë duke luftuar me këtë të keqe të madhe, faktin që shërbimet amerikane kanë akses përmes kompanive të tyre, tek të gjithë njerëzit në mbarë planetin, përmes shërbimeve globale si email-i, Facebook-u dhe Twitter-i.”

Me të vërtetë, vendi ku tani është strehuar Snowdeni, Russia, po merr masa të shpejta për të shtuar survejimin e qeverisë, duke përgatitur një ligj, që do t'i jepte FSB-së akses automatik tek përmbajtja e të gjitha e-maileve të Rusisë, mesazhet apo telefonatat.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG