Lidhje

Planet e Rusisë për Afganistanin


Pas disa viteve ankimesh për trupat amerikane në Afganistan, presidenti rus, Vladimir Putin tani është duke u bërë thirrje atyre të qëndrojnë. Por, në të njëjtën kohë, ai po përgatit një plan tjetër, që ndoshta do ta kthente Rusinë në pozicionin e viteve 1990. Korrespondenti i Zërit të Amerikës James Brooke njofton nga Moska.

Ushtarët parashutistë më të mire të Rusisë mirëpritën presidentin Vladimir Putin gjatë një vizite në Ulyanovsk, një bazë ajrore që shërben për fluturimet mes Moskës dhe Afganistanit.

Gjatë viteve 1980, Ulyanovski ishte një zonë e rëndësishme për trupat sovjetike që luftonin në Afganistan. Këtë muaj ajo u bë një bazë e rëndësishme për të çuar furnizimet e Natos për në Afganistan.

Për komunistët rus që e identifikojnë qytetin si vendlindjen e Leninit, ky ishte një hap shumë pranë Natos. Ky folës komunist në një protestë masive në Ulyanovsk paralajmëron se “çizmet e Natos” në tokën ruse do të thonë humbje sovraniteti.

Presidenti Putin lavdëroi shërbimin e trupave parashutiste të periudhës sovjetike në Afganistan. Më pas presidenti i pyeti ata në se donin të shkonin atje përsëri. Përgjigja ishte “Nyet”! JO.

Zoti Putin shtoi: “Ne nuk duhet të luftojmë atje përsëri. T’i lemë të tjerët të luftojnë.” Më pas presidenti rus tha se vendet e Natos “e morrën përsipër këtë barrë" dhe duhet, sipas fjalëve të tij, "ta mbajnë atë deri në fund.”

Alexey Malashenko, ekspert për Azinë Qendrore në Qendrën Carnegie në Moskë, thotë se deklaratat e zotit Putin kishin si objektiv dëgjuesit e thjeshtë rus.

“Eshtë një pyetje për t’i treguar ushtrisë ruse, shoqërisë dhe mbarë Rusisë se ne jemi më të zgjuar sesa amerikanët dhe Perëndimi. Ata janë të përfshirë në problemet e Afganistanit, ne mund t’i ndihmojmë por mund të qeshim me ta pasi bënë të njëjtin gabim që ne bëmë në kohën e Bashkimit Sovjetik.”

Por udhëheqësi rus e di se një tërheqje e ngadaltë e trupave perëndimore nga Afganistani është duke u kryer. Të hënën Belgjika filloi tërheqjen e ushtarëve të saj. Deri në fund të vitit Shtetet e Bashkuara do të kenë atje vetëm një të tretën e trupave.

Në përgjigje të kësaj, Rusia po punon për një strategji pas Natos në Afganistan. Ajo po negocion marrëveshje afatgjata bazash me Krigistanin dhe Taxhikistanin.

Shqetësimi i Rusisë është se fondamentalizmi islamik do të përhapet përtej Afganistanit. Kirgistani është në ndjekje të gati 1,500 ekstremistëve vendas. Kohët e fundit pranë kufirit afgan, në Taxhikistan ndodhën përleshje të mëdha ku u vranë gati 50 njerëz. Qeveria taxhike fajësoi për luftimet më shumë se 400 ekstremistë nga Afganistani.

Më shumë taxhikë jetojnë në Afganistan sesa në Taxhikistan. Në të njëjtën kohë, Rusia mban 6,000 ushtarë të dislokuar në Taxhikistan, dislokimi më i madh ky i Moskës jashtë Rusisë.

Andrei Kazantsev, analist në Institutin Shtetëror të Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, beson se Moska ka në plan të mbajë të paprekur kufirin e Taxhikistanit me Afganistanin.

“Eshtë e qartë se Rusia do të mbështesë minoritetin taxhik dhe do të jetë ndër fuqitë e para ndërkombëtare që do të ndihmojë të mbijetojnë taxhikët në Afganistan.”

Kështu që tani për tani, Kremlini do të inkurajojë luftimet e Natos në Afganistan. Në të njëjtën kohë, Moska do të përgatitet të kthehet përsëri në pozicionin e saj të viteve 1990 kur mbështeti Aleancën Veriore. Koalicioni i udhëhequr nga taxhikët mbajti një zone sigurie mes talebanëve dhe tokës dikur të njohur si Azia Qendrore Sovjetike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG