Lidhje

Ndryshimet klimatike dhe zona ruse e Arktikut


Amerikanët përjetuan pasojat e ndryshimeve klimatike kur uragani Sandy goditi Nju Jorkun dhe Nju Xhërzin në tetor. Disa shkencëtarë thonë se shkrirja e akullit arktik ndikoi në krijimin e uraganit më të madh që ka goditur ndonjëherë brigjet e Atlantikut. Por rusët dhe kinezët po shohin disa përfitime nga shkrirja e Arktikut. Korrespondenti i Zërit të Amerikës James Brook njofton nga Moska:

A ka mundësi që ndryshimet klimatike ta bëjnë pjesën ruse të Arktikut një alternativë për Kanalin e Suezit? Disa rusë mendojnë se po, kur merren parasysh rezultatet nga stina e transportit gjatë verës në Arktik, që u mbyll të mërkurën. Pati një rekord prej 47 kalimesh nga anijet me mallra mes Azisë dhe Evropës, thuajse 12 herë më tepër se sa dy vjet më parë. Ndryshimi? Shkrirja e akullit të Arktikut.

Në shtator satelitët amerikanë regjistruan shifrën më të madhe të shkrirjes së akullit arktik që nga koha kur filluan të mbahen të statistikat 33 vjet më parë. Këtë verë, pati një pakësim të akullit prej 3,4 milionë kilometra katrore, rreth gjysma e niveleve të regjistruara në periudhën 1980-1990.

Në kushtet kur ka më tepër sipërfaqe ujore pas shkrirjes së akujve, inxhinierët amerikanë të ujërave parashikojnë se volumi i kalimit të mallrave do të rritet këtë dekadë 50 herë më tepër se sa niveli i tanishëm. Për Evropën Veriore, itinerari nga pjesa ruse e Arktikut mund të shkurtojë 7 mijë kilometra nga standarti për në Azi, përmes Kanalit të Suezit.

Kina po e përforcon këtë fakt, duke çuar anijen e vet të parë përmes kalimit të Arktikut rus. Akullnajë-thyesja Snow Dragon kreu itinerarin Kinë - Islandë në të dy drejtimet dhe u ankorua në Shangai në shtator.

Sergey Balmasov, shtetas rus, që drejton zyrën e Infromacionit për Logjistikën e Arktikut në Norvegjinë Veriore, thotë se shkrirja e akullit dhe një sezon 5 mujor transporti i lejuan anijet e mallrave gjatë kësaj vere të kryejnë udhëtime vajtje-ardhje në pjesën veriore të Rusisë.

“Vështirësia më e madhe është mungesa e anijeve, si dhe e anijeve të mallrave të vlefshme për t’u transportuar.”

Rreth gjysma e anijeve ishin cisternë me produkte të naftës, përfshirë kalimin e parë të gazit të lëngshëm natyror, një udhëtim nga Norvegjia për në Japoni.
Ivan Blokov, drejtor i fushatës “Greenpeace Russia”, paralajmëron se anijet cisternë kërcënojnë ekologjinë delikate të Arktikut.

“Transportimi i naftës ose substancave të tjera të dëmshme përmes rrugës veriore duhet të përjashtohet me një garanci 100 për qind. Asnjëherë nuk mund të ketë siguri të plotë nga aksidentet.”


Kohët e fundit zoti Blokov vizitoi portin e Alaskës, ku anija cisternë Exxon Valdez derdhi rreth gjysëm milioni fuçi nafte në vitin 1989. Ai tha se u deshën 15 vjet dhe miliarda dollarë për pastrimin e ndotjes masive. Fushata Greenpeace Russia organizoi një studim për të zbuluar se çfarë do të ndodhte, në se ndodhte një ndotje e tillë nga derdhja e naftës në zonën ruse të Arktikut.

“Përfundimi është se maksimumi, vetëm 10 për qind e naftës së derdhur mund mblidhet dhe mijëra kilometra nga brigjet e Arktikut mund të ndoten”.


Por Balmasov, që mbështet idenë e rrugës së Rusisë Veriore, thotë se rregullat e transportit në botë janë përmirësuar në mënyrë dramatike gjatë 25 viteve të fundit, që nga ndotja e shkaktuar nga anija cisternë Exxon Valdez.

Të gjithë specialistët janë të një mendimi se kapitenët e anijeve që lundrojnë në ujërat e Arktikut duhet të jenë të përgatitur për të papriturat.

Gushtin e kaluar autori amerikan Hampton Sides udhëtoi me një anije përmes Ngushticës së Beringut, në një zonë të Arktikut rus, e cila normalisht duhej të kishte qenë e kalueshme.

“Kudo hasëm në fusha akulli dhe anija ndalonte herë pas here. Na u desh shpesh të ndryshonim drejtimin për të shmangur akullin”.


Zoti Sides thotë se erërat e forta e kishin shtyrë akullin në zona të paparashikuara dhe se kapiteni rus i anijes, edhe pse me shumë vite eksperincë, u habit e madje u shqetësua nga të papriturat me të cilat u ndeshën.

Edhe turistët u zhgënjyen. Ata kishin shpenzuar mijëra dollarë për të parë arinjtë polarë në ishullin Wrangel të Rusisë. Zoti Sides thotë se arinjtë polarë nuk shiheshin gjëkundi në ishull, pasi ata duan akullin, që në atë kohë kishte shkrirë.

Një mësim për ndryshimet klimatike në zonën ruse të Arktikut mund të jetë: përgatitu për të papriturat.
XS
SM
MD
LG