Lidhje

Rusia dhe energjia për Evropën

  • Henry Rdigewell

Ndërkohë që Rusia dhe Perëndimi vënë në zbatim sanksione në përgjigje të veprimeve të njëri-tjetrit lidhur me aneksimin e Krimesë nga Moska, udhëheqësit evropianë të mbledhur në Bruksel po diskutojnë mënyrat për të reduktuar varësinë e kontinentit tek importet e gazit rus. Evropa blen rreth 30 për qind të gazit të saj nga Rusia dhe shumë udhëheqës të BE-së shqetësohen se kjo tregti i jep Moskës fuqi të tepruar.

Bashkimi Evropian shpreson se zgjidhja afat-gjatë e vartësisë nga gazi rus do të jenë pikërisht këto fusha gaz-mbajtëse në Amerikën e Veriut.

Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi më i madh i gazit natyror në botë me përmes teknologjisë hidraulike, dhe Evropa kërkon që Amerika të fillojë të dërgojë gaz në formë të lëngëzuar në Evropë.

Analistët veçojnë një numër pengesash. Kostot e transportit do ta bëjnë gazin amerikan më të shtrenjtë se gazi rus.

Kundërshtarët e kësaj projekt-marrëveshjeje në Shtetet e Bashkuara thonë se gazi i lirë i nxjerrë përmes presionit hidraulik nuk duhet të eksportohet pasi u jep bizneseve amerikane avantazh në tregun global.
Për evropianët, diversifikimi i burimeve energjetike është çelësi për të ndryshuar marrëdhënien gjeopolitike me Rusinë, thotë Profesor Alan Riley i Universitetit të Londrës:

"Evropës i duhet të plotësojë tregun e gazit natyror, duke sjellë gaz të lëngshëm nga Katari, ndoshta nga Shtetet e Bashkuara, si dhe përdorimi i qymyrgurit si burim energjetik. Në Evropë po mbërrijnë sasi të mëdha qymyrguri, që në Shtetet e Bashkuara nuk po përdoret shumë pasi ka prodhim të konsiderueshëm gazi natyror. Ky qymyrgur po dërgohet në Evropë. Pra ka plot opsione”.

Veprimet e Rusisë në Ukrainë e kanë zënë Evropën të papërgatitur dhe do të intensifikojnë përpjekjet për të gjetur burime të reja gazi, thotë Ian Bond i grupit studimor Qendra për Reforma Evropiane:

"Duhen studiuar edhe burime të tjera si Katari dhe Algjeria, si vende prodhuese të gazit natyror. Ndoshta duhet të bindet Gjermania të vërë përsëri në funksionim centralin bërthamor, gjë që do të pakësonte ndjeshëm nevojën për gaz rus”.

Në qershor të vitit të kaluar, Greqia nënshkroi një marrëveshje për tubacionin nga fushat e gazit në Azerbajxhan për furnizimin e Bashkimit Evropian, duke ofruar një alternativë për importet ruse. Tubacioni TAP nuk pritet të ndërtohet deri në 2019. Të gjitha këto alternativa e forcojnë pozitën e Evropës, thotë Ian Bond.

"Rusia ka nevoja të mëdha për të ardhurat që sjell gazi që i shet Evropës. Të paktën gjysma e buxhetit kombëtar realizohet nga shitja e naftës dhe gazit në Evropë. Gjatë dimrit është e vërtetë se Evropa mund të vdesë së ftohti para se Gazpromi të mbetet pa fonde dhe të falimentojë, megjithatë gjatë stinës së verës pozita e Evropës forcohet”.

Por shumë analistë paralajmërojnë se çmimi i gazit mbetet faktori vendimtar për shumë blerës gazi në Evropë. Për Evropën gazi dhe nafta ruse mbeten më të lirat, megjithëse politikat ruse mund të jenë revoltuese.
XS
SM
MD
LG