Lidhje

Rusia do të shpenzojë 730 miliardë dollarë për armatime të reja

  • Ana Ardajeva

Rusia do të shpenzojë 730 miliardë dollarë për armatime të reja

Rusia do të shpenzojë 730 miliardë dollarë për armatime të reja

Kryeministri rus Vladimir Putin ka njoftuar se qeveria e tij planifikon të shpenzojë qindra miliarda dollarë për modernizimin e armëve deri në vitin 2020. Në fjalimin e tij në parlament në fillim të këtij viti, zoti Putin tha se Rusia duhet të jetë e fortë për të shmangur ndonjë kërcënim nga jashtë, prandaj prodhimi i raketave do të dyfishohet duke filluar nga viti 2013. Analistët në Moskë thonë se ky plan ambicioz synon kryesisht të ruajë ndikimin e qeverisë mbi çështjet e brendshme dhe ato rajonale.


730 miliard dollarë deri në vitin 2020 - rreth 20 milion në ditë. Kaq është e gatshme të shpenzojnë qeveria ruse për ri-armatimin e ushtrisë së saj.

Programi i ri shtetëror i riarmatimit përfshin blerjen e tetë nëndetëseve strategjike të pajisur me raketa balistike Bulava. Plus 600 aeroplanë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore S-400 dhe S-500. Blerjet e armëve, si brenda dhe jashtë vendit, do ta lejojnë Rusinë të rrisë përqindjen e armëve moderne në arsenalin e saj me 70 për qind deri në vitin 2020.

Analisti i pavarur ushtarak Pavel Felgenhauer thotë se përmirësimi i forcave strategjike bërthamore është në krye të listës, por edhe pjesa tjetër e ushtrisë ka nevojë për përmirësime.

"Pastaj është natyrisht forca ajrore, sistemi i mbrojtjes ajrore, këmbësoria - në fakt, çdo gjë ka nevojë për ri armatosje, sepse tani ata thonë se vetëm 10-15 për qind e armëve janë moderne".

Edhe pse Rusia eksporton jashtë armë me vlerë prej miliarda dollarësh, forcat e armatosura të vendit janë të pajisura më së shumti me armë të vjetra të epokës sovjetike. Në 10 vitet e fundit, thotë Felgenhauer, qeveria e ka rritur buxhetin e mbrojtjes dhjetë herë, por ende nuk ka arritur ta modernizojë ushtrinë.

"Ministri i tanishëm i mbrojtjes thotë se ka pasur keqpërdorim masiv të fondeve. Industria ruse e mbrojtjes, kapacitetet e së cilës janë shumë më të vogla se sa në epokën sovjetike, reagoi ndaj kërkesës për më shumë fonde duke rritur çmimet. Ata prodhojnë të njëjtët avionë dhe raketa, por me një çmim shumë më të lartë".

Kryeministri Putin thotë se është e nevojshme të shpenzohen miliarda për armatosjen e ushtrisë për të shmangur kërcënimet e jashtme. Por analistët thonë se, ndërkohë që kjo synon të demonstrojë fuqinë ushtarake të Rusisë, qëllimi kryesor është në të vërtetë të krijojë më tepër biznes për kompleksin ushtarak të vendit përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit të ardhshëm. Ja ç’thotë analisti Jevgeni Volk i Fondacionit Jelcin në Moskë.

"Rusia ka trashëguar një potencial të madh ushtarako-industrial dhe për fat të keq, nuk ka patur një kalim të vërtetë nga prodhimi ushtarak në atë civil. Pra, plani i shpenzimeve ushtarake është i nevojshëm për të krijuar më shumë vende pune, pra më shumë njerëz të përfshirë në këtë prodhim të cilët janë në të vërtetë elektorati i zotit Putin në pritje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Rusi".

Plani i ri i propozuar për importin r armëve pritet të realizohet në dy faza. Në fazën e parë, Rusia do të blejë armatimet dhe liçencat. Në fazën e dytë, do të ngrejë ndërmarrje të përbashkëta me ofruesit perëndimorë të armëve, dhe do të fillojë prodhimin e sistemeve perëndimore të armëve. Në Rusinë post-sovjetike, thonë analistët, "ushtri" do të thotë kryesisht "biznes" – pavarësisht nga ambalazhimi ideologjik që mund t’i jepet kësaj.

XS
SM
MD
LG